Pas dueleve gjysmëfinale të zhvilluara dje dhe shtatë meçeve finaliste të luajtura sot, ka përfunduar me sukses turneu i 22-të me radhë ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”.

Në fund të turneut u ndanë edhe çmimet e më të mirëve:

Boksieri më i mirë vendos -Besart Pireva (Kosovë)

Boksieri më i mirë i huaj – Kimil Rusonov (Bullgari)

Boksieri më Fair Play – Arsim Hetemi (Maqedoni e Veriut)

Tekniku më i mirë – Esthemes Andrey (Bullgari) dhe

Boksieri më i mirë i turneut u shpall Shpëtim Bajoku (Kosovë)

Zhvillimin e këtij turneu e ka parë me shumë pozitivitet edhe legjenda e boksit kosovar dhe njëherit themeluesi i turneut “Adem Jashari”, Aziz Salihu, i cili e konsideroi si shumë pozitive rrjedhën e këtij turneu, përkundër problemeve që kanë hasur në organizim për shkak të pandemisë Covid-19.

“Më së pari gëzohem që është në pyetje turniri të cilin e kam themeluar unë “Adem Jashari”, kënaqësi dhe po i shohim shumë do ndeshje të forta, të mira…. Po boksojnë rinia aq mirë, kjo është kënaqësi. Unë po habitem nga po dalin kështu, në këtë virus i cili na mbyti… Unë mendojë që duhet me iu ndihmu shumë boksit. Ju po e shihni që krejt shtetet që janë nga tre, katër apo pesë muaj shkojnë nëpër përgatitje, kurse ne me dhjetë ditë shkojmë boksojmë në turnire. Unë po habitem se si po boksojnë me këta të huajtë dhe po fitojnë”, tha Salihu.

Salihu deklaroi se mungesa e tifozerisë po vërehet shumë por që shpresoi që pandemia të kalojë dhe tifozët të rikthehen në palestra sikur më parë.

“Është kënaqësi kur i ke tifozët tuaj, je mësuar. Si përpara unë e di tri herë që e kam mbajtur turneun “Adem Jashari” i kam pasur nga 7000 -8000 veta, ishte diçka fenomenale. Ndoshta ky virus tash shkon dhe bëhet më mirë. Boksi për mua është numër një në të gjitha sportet”, deklaroi Salihu.

Ndërkohë, boksieri kosovar Shpëtim Bajoku, i cili edhe e fitoi çmimin si boksieri më i mirë i këtij turneu, tha se luftërat e zhvilluara brenda këtij turneu nuk ishin aspak të lehta, por se çmimi i fituar sot e motivon për të vazhduar drejt majave të këtij sporti.

“Moti nuk kemi boksuar sepse ishte pandemia. Ky çmim më motivon shumë dhe besoj se do të bëjë edhe shumë tituj, kam me e arrit qëllimin që mendojë me arrit deri në kulm atje. E kemi tani Kampionatin Evropian, në Kroaci më duket se e kishim, tjera meçe edhe Kampionatin e Kosovës, për të tjera meçe akoma nuk e dimë veç se jemi duke ushtruar mirë”, tha në fund Bajoku.

Në këtë turne morën pjesë boksierë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Sllovakia dhe Bullgaria.