Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi sot është hapur ekspozita “Promovimi i faunës në fokusin e fotografëve shqiptar”. Fotografi të shumta të kafshëve e shpezë të ndryshme u ekspozuan sot në një ambient të hapur në parkun nacional “Blinaja”.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar fotografi të shkrepura nga objektivi i fotografëve nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi.

Me këtë rast nga Zyra e Presidentit, Ardian Arifi tha se përmes këtyre fotografive ngritët vetëdija dhe nevoja për të mbrojtur botën e egër në Kosovë.

“Puna juaj është njësoj e rëndësishme për ngritjen e njohurive dhe vetëdijes së e përgjithshme për rëndësinë që ka natyra dhe nevojën për ta mbrojtur që e kemi si në Kosovë si dhe Shqipëri… inkurajoj të gjithë që të ruajnë ambientin dhe ruajtjen e botës së egër në Kosovë. Fotografitë që janë këtu janë besoj vetëm një pjesë e vogël e punës që keni bërë jemi shumë mirënjohës dhe do vazhdojmë të bashkëpunojmë t’iu përkrahim”, u shpreh Arifi.

Në emër të gjithë fotografëve pjesëmarrës, Arian Mavriqi u shpreh i lumtur që për herë të parë në Kosovë po hapet një ekspozitë e këtij lloji.

“Do ta bëjmë tradicionale këtë ekspozitë dhe çdo vit do e gjejmë një lokacion të ngjashëm dhe ky është një mesazh i qartë se presidenti Hashim Thaçi ka mbështetur një grup të fotografëve që ndikojnë në ruajtjen e faunës sonë në bashkëpunimin tonë rajonal në mes fotografëve”, tha ai.

Kurse, Besnik Jakupi bashkëthemelues i organizatës Wildlifealbanianphotograpers tha se sot këtu po prezantohen fotografi që tregojnë për pasurinë e botës së egër në trojet shqiptare.

Ai tha se shpejt do ta lansojnë edhe një dokumentar dhe një atlas ku tentojnë ta shndërrojnë në një libër shkollor.

“Nuk do ndalemi duke u kujdesur për natyrën botën e egër dhe në përgjithësi botën shtazore kemi portretizuar disa nga kafshët dhe shpezët që jetojnë në Kosovë por këto janë një numër shumë i vogël…kemi një atlas shkollor që me ministrinë e Arsimit dhe me ndihmën e zyrës së Presidentit mendojmë ta aktualizojmë atë temë dhe ndoshta ta fusim si libër shkollor. Aty është libri i parë ndoshta ku janë të cekura kafshët dhe shpendët që jetojnë në trojet shqiptare”, tha ai.

Drejtori për menaxhimin e kafshëve të egra, Xhavit Statovci tregoi për pasuritë e parkut nacional Blinaja.

“Ka një sipërfaqe prej 2795 hektarë menaxhohet nga qeveria dhe aktualisht kemi kafshë të mëdha drerin tri lloj si dhe derrin e egër tri lloje. Nga speciet drusore dominonin qarri dhe bungu është vend gjuetie tipit të mbyllur e tipit kodrinoro-malor me lartësi mbidetare 650 deri 850 metra. Deri tani synim i yni ka qenë të arrijmë një stok optimal të faunës së egër dhe jemi gati në arritje të kësaj”, u shpreh ai.

Një ekspozitë e tillë me fotografi të kafshëve dhe shpezëve do të hapet në muajin tetor në Prizren./kp