Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Përurohet shtëpia muze e Heroit Fadil Vata

3 min read

 

Kosovës i shtohet edhe një muze i personaliteteve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare. Është shtëpia muze e Heroit Fadil Vata, e cila është përuruar sot në Sallagrazhdë të Suharekës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se edhe sot mund të bëjnë punë të mira për kombin, siç është një hekurudhë me Shqipërinë dhe një marrëveshje për mbrojtje ushtarake të ndërsjellët, pastaj, kushdo që ta ketë kombësinë si shqiptar t’i takojë e drejta për shtetësi.

“Nuk do ta humbim rrugën tonë asnjëherë sepse do të kemi ku t’i gjejmë gjurmët e lirisë, tani edhe në shtëpinë e heroit Fadi Vata”, ka thënë ai.

Kurse, bashkëveprimtari dhe njëri nga ish-drejtuesit e LPRK-së, Halil Selimi ka thënë se kishte menduar se sot të jenë prezent përfaqësuesit më të lartë shtetëror dhe fjalën e tij ta fillonte me ata prej ku fillon shteti, në themelet e të cilit është flijuar sakrifikueshëm edhe Heroi i Popullit Fadil Vata.

“Çfarëdo që bëjmë për heronjtë, kurrë nuk është boll. Si njëri nga bashkëveprimtarët, jo të shumtë asokohe, më duhet të them dy fjalë për Fadilin e madh. Për Fadilin idealist dhe ideolog, frymëzues dhe ideator, veprimtar dhe organizator, i burgosur politik dhe çlirimtar! Për Fadilin drejtues të organizatës së vetme çlirimtare të asokohëshme, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, paraprijëse dhe themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, edhe sot, kjo vepër monumentale, përurimi i të cilës na ka tubuar nga të gjitha anët shqiptare, na vije si trokitje e ndërgjegjes për nderim dhe respekt të dinjitetshëm për Fadilin dhe gjithë çlirimtarët tanë. Veprimtaria organizative e Fadil Vatës dhe gjeneratës së tij, ishte një trokitje e fortë dhe e guximshme e kohës në ndërgjegjen kombëtare për liri. Ishte vazhdimësia e rezistencës së organizuar liridashëse. Ishte kohë pararendëse dhe vendimtare për formësimin dhe ndërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje dhe të vetë Lirisë. Dhe, mos të harrojmë se, ishte koha kur monizmi po kalonte në sistemin pluripartiak. Me lirinë e organizimit pluralist dhe heqjen e deliktit verbal, demokracia filloi të proklamohet dhe të imponohet si liri e vërtetë, anise pushtuesi po bëhej edhe më i egër në antishqiptarizmin e vet. Nga ana tjetër, atdhetarët e devotshëm, veprimtarët e vendosur dhe çlirimtarët e guximshëm, përkundër kësaj sfide të pazakontë, të bindur se pa luftë nuk vie liria dhe pa liri nuk ka demokraci, u mobilizuan brenda e jashtë vendit dhe arritën që përmes LPRK-së, të organizohen mirëfilli dhe të përqëndrojnë gjithë veprimtarinë e fshehtë çlirimtare kundër pushtuesit serb”, ka thënë ai, duke shtuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i punës, djersës dhe gjakut të të gjithë atyre që u rreshtuan, luftuan dhe u sakrifikuan në përballjen e shenjtë për liri.