Shkolla e mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë është mbyllur për shkak të COVID-19. Pesë mësimdhënës janë infektuar me virusin SARS-COV-2, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e stafit është mbi moshën 60-vjeçare.

Kjo është konfirmuar nga drejtori i Arsimit të Komunës së Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj, që deklaroi se ky është rasti i parë që një shkollë publike mbyllet në këtë komunë.

Nxënësit e kësaj shkolle tashmë do të ndjekin mësimin sipas skenarit C të përgatitur nga Ministria e Arsimit që do të thotë se do të jetë mësim në distancë.

“Sot është rasti i parë (i mbylljes së një shkolle), është shkolla e mesme ‘Nexhmedin Nixha’ në Gjakovë që ka kaluar në mësim online me rekomandimin e Institutit të Shëndetësisë. Janë pesë mësimdhënës për arsye se një pjesë e tyre, ose 17 përqind e tyre, janë mbi moshën 60-vjeçare, dhe kjo është ndër arsyet kryesore që kemi marrë vendim të shkojmë ne skenarin C”, ka thënë Nikollbibaj.

Përpos mbylljes së kësaj shkolle, edhe tri klasë të tjera nga të shkollave të tjera kanë kaluar në mësim online pas rasteve pozitive me COVID-19.

Aktualisht, Komuna e Gjakova gjithsej numëron 24 mësimdhënës të infektuar me COVID-19, ku prej prej tyre dy janë edukatore të Institucionit Parashkollor “Ganimete Tërbeshi”.

Nikollbibaj konfirmoi se edhe 15 nxënës janë infektuar, duke përfshirë edhe tri fëmijë të kopshtit të lartpërmendur.

“Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve (të infektuar) është 24, i nxënësve është 15. Nga ky numër, dy janë edukatore dhe tre janë fëmijë të kopshtit. Janë tri klasë që mbajnë mësim online”, tha Nikollbibaj.

Nikollbibaj thekson se masat anti-COVID për mbarëvajtjen e procesit mësimor po zbatohen nëpër institucionet arsimore të komunës së Gjakovës dhe task-forca e ngritur për mbikëqyrje është vazhdimisht në terren.

“Situata ka filluar të ketë ndryshime të vogla në sistemin e arsimit për momentin, por është e menaxhueshme. Do të thotë po mbahet distanca, higjiena, ka matje të temperaturës. Ne jemi në lëvizje me task-forcën që e bëjnë monitorimin e shkollave. Nuk është për panik, por numrat kanë filluar të lëvizin ndopak”, tha Nikollbibaj.

Nikollbibaj apeloi që të bëhet kujdes dhe të respektohen në vazhdimësi masat për mbrojtje ndaj pandemisë, në mënyrë që të mos ketë rritje të rasteve me virusin COVID-19./kp