Edukimi dhe Menaxhimi i Sistemit Arsimor gjatë situatës me pandeminë koronavirus dhe kontributi i diasporës nga Gjermania, ka qenë temë e debatit të sotëm virtual të profesionistëve arsimorë nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania.

Qëllimi i këtij takimi ishte që përmes bashkëbisedimit të trajtohen mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit dhe angazhimit profesional në vendet e origjinës për menaxhimin e sistemit arsimor, duke pasur parasysh dëmet të shkaktuara nga pandemia.

Njohësi dhe eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Popovci, ka thënë se mbyllja e institucioneve arsimore, për shkak të pandemisë, dhe kalimi i procesit mësimor në platformën online nuk është treguar efektiv për nxënësit.

Drejtoresha e Qendrës për botime të diasporës, Mimoza Hysa, ka treguar se gjatë kohës sa është mbajtur procesi mësimor në distancë, kanë pasur mundësinë që të përdorin një platformë online, e cila zhvillon lëndët mësimore sipas kurrikulës së Shqipërisë. Ajo ka bërë të ditur se janë në proces të hartimit të një platforme vetëm për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Për menaxhimin e pandemisë në sistemin arsimor nga Kosova ka folur udhëheqësja e divizionit për plan-programe dhe kurrikula në MASH, Feime Llapashtica, e cila ka thënë se platforma online nuk ka qenë e mirëfilltë, për shkak të situatës me koronavirus.

Ndërsa, mësimdhënësi nga universiteti ushtarak i Hamburgut, Muhamet Idrizi, ka theksuar se gjatë kësaj kohe kanë punuar rreth 6 muaj që të bëjnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe si mësim të gjuhës së dytë të huaj zyrtare.

Diskutimi “Edukimi dhe menaxhimi i sistemit arsimor gjatë situatës me COVID-19 dhe kontributi i diasporës nga Gjermania”, është organizuar nga organizata GERMIN në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).