Në Vlahen të Hasit të Shqipërisë, që gjatë kohës të luftës priti me qindra pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot u zbulua një pllakë përkujtimore në shtëpinë e Alush Gradicës. Shtëpia e këtij të fundit gjatë viteve 1997-1999, shërbeu si bazë e UÇK-së gjatë luftës.

Kryetari i degës së OVL-UÇK-së në Has, Xhevdet Thaçi tha se në këtë vend është zhvilluar luftë. Sipas tij, këtu nuk ka pasur pritë por luftë dhe kontribut të burrave dhe grave.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka theksuar se dy pllakat e vendosura në Vlahen e Nikoliç gjatë së shtunës tregojnë kontributin e këtyre vendeve gjatë luftës.

Ai ka falënderuar këto familje për kontributin e tyre. Dëshmoret e vendit, sipas Gucatit, kanë derdhur gjak që të jenë një shtet, e jo dy shtete.

E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë zbulimit të pllakës përkujtimore u shpreh se Hasi është porta e lirisë dhe se familja e Alush Gradicës ka qenë një ndër bazat e para të UÇK-së.

Veseli tha se gjithë luftëtarët duhet të jenë krenar që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, pavarësisht që është tepruar me numrin e veteranëve, UÇK ka qenë e gjithë Kosova.

I biri i Alush Gradicës, Mirjani ka falënderuar të gjithë ata që kanë kujtuar ato vite, ku shtëpia e tyre shërbeu si bazë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Për këtë OVL-UÇK ka dekoruar këtë familje për kontributin e tyre gjatë viteve 1997-1999. /kp