Nisma e Organizatës të Veteranëve të Luftës së UCK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po shihet si vështirë i realizueshëm. Përkundër që zgjerimi i juridiksionit të speciales për t’u marrë edhe me krimet serbe vlerësohet si pozitive dhe e nevojshme.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj tha për Kp se tashmë është në dorën e deputetëve për të bërë ndryshimet e ligjit.

Ai u shpreh se nëse ata iu qëndrojnë deklaratave se Gjykata Speciale është njëanshme dhe raciste, atëherë duhet të votojnë që të zbulohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

“Nuk mendoj që ka njeri normal që është mbi këtë tokë, e lëre më përfaqësuesit e këtij vendi që nuk janë për zbulimin e krimeve që janë bërë në Kosovë. Derisa plot gojën e ka edhe vetë gjykata që po i zbulon krimet, unë mendoj që është koha të zbulohen krimet. Nëse ka krime, ia paftë hairin ai që i ka bërë. Plotësim-ndryshimi i këtij ligji i qet ata para aktit të kryer. Nëse këta nuk pajtohen atëherë ata janë vetë që duhet të ketë gjykatë selektive. Nuk mendoj që një njeri normal i thotë kësaj gjykate që është e drejtë përderisa është selektive, e njëanshme, raciste, një etnike”, tha Haradinaj.

Por, këtë iniciativë të veteranëve po e sheh me mëdyshje, Ylli Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili tha se juridikisht ky plotësim-ndryshim i Ligjit për Gjykatën Speciale është i pamundshëm.

Ai tha se vendi ka Prokurorinë Speciale që do të duhej të ishte më efektive me aktakuzat për krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.

“Është e palogjikshme se si nuk kërkohet prej institucioneve vendore përgjegjësi, por kërkohet prej një gjykate, për të cilën dihet cili është mandati i saj të zgjerojë mandatin. Shihet si juridikisht është pothuajse e pamundshme duke pasur për bazë që kompetencat e kësaj gjykate janë përcaktuar me një amendament kushtetues. Për çdo ndryshim, qoftë të vogël apo shfuqizim të kësaj gjykatë nevojiten dy të tretat e deputetëve…Ne e shohim si juridikisht është e pamundshme, kurse politikisht është vetëm një dëmtim, apo vetëvrasje politike e Kosovës në aspektin ndërkombëtar”, tha Zekaj.

Ani pse u shpreh se ndryshimet në ligjin e speciales janë të mira, avokati Artan Qerkini e sheh me skepticizëm konkretizimin e kësaj nisme.

“Kjo iniciativë është e mirë për faktin se nëse gjykohet njëra palë duhet të gjykohet edhe pala tjetër. Gjykatat një nacionale nuk janë gjykata të mira dhe në opinion nuk shihen si gjykata të drejta. Prandaj, nëse është interesi i bashkësisë ndërkombëtare që të ndiqen krimet, atëherë të ndiqen të gjitha krimet pavarësisht se kush i ka kryer. Në aspekt të parimit të së drejtës, mendoj se kjo iniciativë është në rregull. Por, sa do të ketë sukses, kjo varet prej shumë faktorëve, e sidomos prej akterëve politikë”, tha Qerkini.

E, kjo iniciativë e veteranëve të UCK-së, deputetët e Kuvendit të Kosovës i ka gjetur në pushimet verore, pasi kanë përfunduar punimet e sesionit pranveror. Ndërkaq, pritet që në javën e dytë të shtatorit të merr përgjigjen e tyre.

Në Kosovë, ka pasur mjaft kundërshtime ndaj formimit të kësaj gjykate. Veteranët e UÇK-së në disa raste kanë protestuar, ndërkaq që në fund të vitit 2017, në Kuvendin e Kosovës është tentuar pasuksesshëm anulimi i kësaj gjykate, ndaj të cilit tentim ka reaguar ashpër bashkësia ndërkombëtare.

Kundërshtime ka pasur edhe në vitin 2015 kur Kuvendi i Kosovës, në tentimin e dytë, ka miratuar amendamentin kushtetues dhe legjislacionin për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor. /kp