Në tri ditët e fundit, Policia në Mitrovicën e Jugut, ka identifikuar dhe ka gjetur tri vetura, që ishin raportuar kohë me parë si të vjedhura në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një bashkëveprim ndërmjet Policisë në Mitrovicë dhe stacioneve policore Podujevë, Pejë e Rahovec, ka rezultuar që veturat e vjedhura në këto qytete të gjenden nga Policia në lokacione të ndryshme në Mitrovicë.

“Hetimet e ndërmarra, përfshirë ekzaminimin e veturave dhe lokacioneve ku janë gjetur veturat, janë bërë në bashkëveprim me hetuesit e stacioneve përkatëse policore. Pas procedurave të nevojshme veturat në fjalë janë marrë nga stacionet përkatëse për t’ua kthyer pronarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje në njoftim thuhet se “veprimet e mëtejshme hetimore do të vazhdojnë në mënyrë të sinkronizuar ndërmjet hetuesve policorë, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të kryesve të këtyre veprave”./21Media