Emërimi i zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj si person kontaktues i qeverisë me Kuvendin e Kosovës sot u bë shkak i përplasjes mes deputetes së PDK-së, Evgjeni Thaçi Dragusha dhe zyrtarëve qeveritarë.

Gjatë seancës plenare ku po raporton kryeministri Avdullah Hoti për 100 ditëshin e tij qeverisës, deputetja e PDK-së e quajti arrogant dhe të papranueshëm për një pozitë të tillë Driton Selmanajn.

“Me arrogancën e vet, ky zëvendëskryeministër është i papranueshëm nuk e di a e kupton ti këta. Dje u mundu, përveç arrogancën ka mungesë të njohurive se çka ndodhur në qeveri. Dje opozita ka këmbëngulur që të sillet një nga ligjet që ishte në rend të ditës për ratifikim. Ka ardh zëvendëskryeministri nuk e ka ditë për çka bëhet fjalë”, tha ajo.

E në reagimin e tij, Selmanaj tha se vendosja e standardeve të reja në qeverisje është vështirë e kuptueshme për deputeten Thaçi-Dragusha.

“Standardet e reja janë shtirë të kuptueshme, por gradualisht duke i zbatuar keni me parë që është praktik shumë e mirë. E për punë çfarë punë kam unë, me ta pru raportin s’mundesh e lexon kurrë qaq shumë është i madh. S’ke mundur qeta me lexu edhe tjetrin”, tha ai.

E këtu ndërhyri edhe kryeministri Hoti, i cili sqaroi se çfarë pozite është caktuar zëvendëskryeministri Selmanaj.

“Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj është caktuar person kontaktues me trupat e kuvendit, një praktik që ka ekzistuar në disa legjislatura. Ministrat dhe unë vazhdojmë me kry punën parlamentare sipas praktikave. Por zëvendëskryeministri është i ngarkuar kur ka nevojë të jetë prezentë në mbledhje të kryesisë vetëm kaq, vazhdojnë llogaridhënia e ministrave dhe kryeministrit para deputetëve”, tha ai.

Duke iu kundërpërgjigjur atyre, deputetja opozitare tha se me një qeveri pa shumicë parlamentare e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet.

“Një qeveri pa shumicë parlamentare, ku opozita me vullnetin e saj të mirë angazhohen për të kaluar ligjet në të mirë të qytetarëve. Prandaj është koha që politika kosovare, partitë të mendojnë të ulen dhe të vendosin një datë të zgjedhjeve dhe të përgatitemi të shkojmë për mos ta lënë vendin në këtë gjendje”, tha ajo.