Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, sot ka mbajtur një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin ku kanë diskutuar për problemet e punëtorëve të sektorit privat.

Azemi ka thënë se në këtë takim kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit përndryshe do të hyjnë në grevë.

“Ky ishte një takim për të cilin ne ishim pajtuar që të bisedohet për punëtorët teknikë, të cilët janë për momentin në protestë, dhe që nga e hëna do të futen në grevë. Ne i kemi shprehur shqetësimet e tona të cilat edhe kryeministri i ka ditë dhe ka qenë një kërkesë përfundimtare që, po që se nuk gjendet zgjidhje për punëtorë teknikë dhe të sigurimit, që nga e hëna ne do të jemi në grevë”, ka thënë Azemi.

Ndërsa ka thënë se kryeministri Hoti ka premtuar që bashkë me ministrin e Shëndetësisë, do të gjejnë zgjidhje për këta punëtorë.

“Ne i kemi ofruar bashkëpunim 24 orësh kryeministrit edhe ministrit të shëndetësisë me qëllim që mos të vijë deri te kjo. Ka qenë një propozim i kryeministrit i cili të enjten, ose të premten bashkë me ministrinë e Shëndetësisë dhe përfaqësues të pronarëve të kompanive që shërbejnë në këto spitale do të gjendet një zgjidhje. Kryeministri thotë do të gjejmë një zgjidhje sa do që është e rëndë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka thënë se në këtë takim kanë njoftuar kryeministrin edhe për gjendjen e rëndë të punëtorëve të sektorit privat, dhe për pakon emergjente që ishin shpërndarë nga Qeveria e Kosovës, kanë shkuar në llogari të kompanive.

“Kemi biseduar edhe për çështje të tjera, për pagën minimale, për gjendjen e rëndë të punëtorëve që tani po i humbin vendin e tyre të punës dhe i kemi bërë me dije kryeministrit se pakot që kanë shpërndarë, pjesa dërmuese po shkon nëpër llogaritë bankare të kompanive dhe se aspak nuk jemi duke e ndier këtë lehtësim, dhe se fatura e kësaj pandemie po bie mbi barrën e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, ka thënë Azemi.

Azemi ka thënë se protesta do të vazhdojë sipas vendimit që sindikata ka marrë dhe se hyrjen dhe daljen nga greva e bënë vetëm sindikata së bashku me shoqatat.