Ahmeti tha është mirë që të merret një vendim i njëjtë në të gjithë Kosovën

Ahmeti tha është mirë që të merret një vendim i njëjtë në të gjithë Kosovën

Në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë është vendosur tuneli dezinfektues, ku qytetarët do të kalojnë para se të hyjnë në tendën e vendosur për të kontrolluar të dyshuarit me Covid-19.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë vendore “Te Pema” e kanë bërë përurimin sot, aty kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi pavarësisht vendimeve për kufizim të lëvizjes.

Shpend Ahmeti tha se vlerëson që më mirë është që të merret një vendim i njëjtë në të gjithë Kosovën, për kufizim të lëvizjes, pas 13 prillit kur hyn në fuqi aktvendimi i Kushtetueses.

Ai tha se janë në konsultim me kryetarët e komunave në të gjithë Kosovën, dhe nesër gjithashtu pret ta takojë kryetaren në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin dhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia.

Këtë deklaratë i pari i kryeqytetit e bëri derisa përuroi tunelin dezinfektues në oborrin e QKMF-së në Prishtinë.

Ai tha se një tunel i tillë ka mundësi që të bëhet edhe në objektin e Komunës së Prishtinës, për shkak të lëvizjeve të qytetarëve.

Ahmeti gjithashtu bëri të ditur se nesër Komuna e Prishtinës ka thirrur mbledhje të Kuvendit Komunal për të prezantuar pakon 10-pikëshe të komunës për masat që po merren në aspektin ekonomik.

Ai tha se do të prezantojnë edhe një program që kërkon nivelin qendror që të intervenojë, i cili ka të bëjë me grante për biznese në komunën e Prishtinës.

Deri tani në Prishtinë janë 25 raste të infektuar me Covid-19.