Në Gjykatën Speciale është mbajtur seanca e parë ndaj kryetarit të Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ku mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij me kusht. Këtë e ka kundërshtuar Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ka deklaruar se brenda 30 ditësh do të paraqesin aktakuzën ndaj tij.

Hysni Gucati i cili po mbahet përgjegjës për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, sot në sallën e gjyqit ka kundërshtuar mënyrën e arrestimit të tij, derisa ka shtuar se do t’i përgjigjej drejtësisë nëse do të kishte ftesë.

Nuk jam informuar për arrestimin tim deri në atë moment kur ka ardh policia EULEX-it në zyrën time. Nuk ka pas nevojë të hyjnë në atë formë policia e EULEX-it në zyret e OVL, kanë mundur më ftojnë dhe do të isha dorëzuar vet. Pas një orë e gjysmë e kam informuar djalin tim që jam arrestuar”, tha Gucati.

Prokurorja Valeria Bolici tha se do të dorëzojnë aktakuzën brenda 30 ditësh.

Jemi të përkushtuar për një proces të shpejtë, konfirmojmë që prokuroria Ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhë 30 ditore”, tha prokurorja.

Ndërsa mbrojtja, Jonathan Rees kërkoi nga gjykatësi që të lirojë me kusht Gucatin, derisa procesi është pezull dhe nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj tij.

Prokurorisë i është dhënë kohë t’i përgjigjet kundërshtimeve me shkrim për ligjshmërinë e arrestimit, ndërkohë zoti Gucati është në paraburgim dhe do të mbetët në paraburgim ndërkohë që pret përgjigjen e prokurorisë… Kërkoj nga ju i nderuari gjykatës të merrni parasysh mundësinë e dhënies së lirimit me kusht për të”, tha ai.

Lidhur me këtë, ai foli për gjendjen shëndetësore të Hysni Gucatit dhe ndër kushtet që përmendi ishte edhe mos-afrimi i Gucatit në zyret e OVL-UÇK më shumë se 100 metra.

Ne mund të ofrojmë një garanci prej 5 mijë euro që ai të jetojë në adresë që do të përcaktohet, të raportojë në policinë e EULEX-it dhe të gjitha këto kushte së bashku me faktin që ai ka familje, fëmijë, nipër e mbesa aty, të gjitha këto i përgjigjen atij rrezikut të rrezikut të arratisjes… Ne mund të marrim parasysh që ai mos të kontakojë direkt apo indirekt ndonjë person që gjykata mendon se nuk duhet ta kontaktojë. Zoti Gucati është i vendosur që ‘ti përmbahet të gjitha rregullave që i caktohen. Kemi propozuar edhe një kusht që zoti Gucati mos t’i afrohet, deri në largësi 100 metra zyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës”, tha Rees.

Por Zyra e Prokurorit të Specilizuar kërkoi që Hysni Gucati të vazhdojë paraburgimin, meqë siç tha prokurorja, ekziston rreziku se ai mund të përsërisë veprat që janë pengim i drejtësisë, për çka edhe është arrestuar.

Kemi motive të tjera shtesë që mund t’i shmanget drejtësisë. Ka afirmuar publikisht që do të vazhdojë të bëjë publike informacionet që mund t’i vijnë që kanë të bëjnë me lëndën e kësaj gjykate. .. Zoti Gucati ka bërë deklarata të tilla ditën e arrestimit, dhe ekziston rreziku i përsëritjes ose orvatje për t’u kryer përsëri veprat penale. Kjo tendencë është ndaluar vetëm përmes arrestimit të zotit Gucatit. Zyra e Prokurorit të Specializuar mendon se nëse Gucati do të lirohet do të vazhdojë të përsërisë të njëjtën vepër”, tha ajo.

Ajo tha se paraburgimi mbetët i nevojshëm në këtë fazë dhe se kushtet që i paraqiti mbrojtja nuk janë të bindshme.

Mbrojtja kishte parashtruar edhe me shkrim kërkesa të tjera që lidhen me arrestimin e Gucatit, për të cilat, gjyqtari Nicolas Guillou kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që të përgjigjet deri më 9 tetor.

Në këtë seancë, gjyqtari i lexoi të drejtat Gucatit ku ndër të tjera bëri të ditur se ai ka të drejtë të lirohet nëse Prokurori i Specializuar nuk dorëzon aktakuzë brenda një viti.

Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi të Dhomave të Specializuara.

Ai bashkë me udhëheqësit e OVL-UÇK, përmes konferencave për media, kishin deklaruar që në zyret e organizatës një person i panjohur ka sjellë dokumente, që siç kanë deklaruar ata, janë dosje që rrjedhin nga Gjykata Speciale./KP