Dy persona janë gjetur mbrëmë të vdekur në një shtëpi në Prizren, kështu ka bërë të ditur për rtv21.tv zëdhënësi i Policisë së Kosovës.  Dyshohet se personat që janë babë dhe bijë janë vrarë nga arma e zjarrit.

Në lidhje me rastin Prokuroria e Prizrenit sot, njoftoi se ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionet e nevojshëm në lidhje me këtë rast.

“Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes.”, thuhet në njoftim.

Derisa bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës, mirëpo deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit. “Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë quar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./21Media