Pas Berlinit dhe Londrës protestat anticovid përfshinë Italinë. Mijëra protestues nga e gjithë Italia zhvilluan një tubim në Romë për të kundërshtuar mbajtjen e maskave të fytyrës, të shikuara si një kufizim i lirive personale.

Pas Berlinit dhe Londrës protestat antiCovid përfshinë Italinë. Mijëra vetë u mblodhën në Romë për të kundërshtuar masat që i konsiderojnë represive.

Protesta u zhvillua pranë monumentit “Goja e së vërtetës”, një nga vendet më të famshme të Romës, ku më shumë se një mijë njerëz valëvitën flamuj italianë.

Shumë prej tyre ishin kundër mbajtjes së maskave të fytyrës, të cilat i shohin si një kufizim të lirive personale.

“Kjo emergjencë, ishte një mënyrë për të vendosur diktaturën, jo vetëm një diktaturë italiane, por botërore. Na bënë të besojmë që maskat të mbrojnë, por kjo nuk është e vertetë sepse asnjë maskë nuk mund të mbrojë askënd “, tha një protestuese

Të tjerë kundërshtuan mbajtjen e maskave me detyrim për nxënësit e shkollës. Fëmijët do të duhet të përdorin maska kur hyjnë dhe dalin nga shkolla si dhe në korridore, por ato nuk do të jenë të detyrueshme në klasa.

“Kam ardhur këtu sepse mendoj se fëmijët nuk duhet të vendosinm maska në shkolla. I gjithë ky alarm është i ekzagjeruar” u shpreh një protestues.

Midis turmës ishin anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë Forza Nuova, grupi “Njerëzit e Nënës” dhe gjithashtu aktivistë anti-vaksinës.

Kujtojmë se Italia është një nga vendet më të goditura të Evropës me më shumë se 35,000 vdekje, ndërsa të Shtunën u raportuan 1,695 infeksione të reja me koronavirus.