Partia Socialdemokrate konsideron se Gjykata Speciale tashmë ka dëmtuar rëndë Kosovën. Sipas PSD-së, kjo gjykatë e ka devijuar dhe po e devijon përballë opinionit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Më tepër se kaq, sipas PSD-së- ajo po bëhet mekanizëm i ndërhyrjes politike në dialogun Kosovë-Serbi.

“Pikërisht në vigjilje të këtij momenti ka nisur një sulm mbi mbarë strukturat udhëheqëse të UÇK-së. Kur prej procesit pritet jo më pak sesa ulësja në OKB dhe kësisoji përmbyllja e subjektivitet ndërkombëtar, ku goditet është themeli autentik i këtij projekti. Kjo Gjykatë është kundër parimeve themelore të drejtësisë. Ajo është diskriminuese sepse është një-etnike. Duke qenë kështu, efekti i saj s’mund të jetë vendosja e drejtësisë, por inkriminimi. Kjo Gjykatë e ndan mespërmes sistemin tonë gjyqësor. Kështu ajo cenon edhe përpjekjet shtetndërtuese”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Nga kjo parti tashmë bëhet thirrja për t’u bashkuar dhe për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

“Gjykata Speciale është votuar në vitin 2015. Kushdo që e ka votuar atëherë ka dëmtuar rëndë interesin e Kosovës. Por, nuk janë më pak të dëmshëm ata që teksa fërkojnë duart, fshihen pas atij votimi duke iu gëzuar eliminimit të rivalëve politik sot. Nëse kemi aq shumë pajtim mbi dëmin që shkakton kjo Gjykatë, s’ka asnjë arsye pse të mos i mbledhim forcat për ta shfuqizuar këtë trup të huaj. Kosova vet duhet të vendosë drejtësi. Për të gjithë dhe secilin”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PSD-së.