Raportet vjetore financiare të partive politike për vitet 2018 dhe 2019 dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së vitit 2019, të cilat janë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ende nuk janë audituar.

Ndonëse në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, thuhet se procesi i auditimit të raporteve vjetore financiare të subjekteve politike duhet të mbarojë më së largu deri më 15 qershor të vitit pasues, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Auditimi i raporteve vjetore financiare dhe raporteve të deklarimit financiar të fushatës, bëhet nga auditorët të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në një përgjigje nga ky komision thonë se kanë kërkuar nga administrata e Kuvendit që të sigurohet buxhet për këtë procedurë dhe se kjo çështje ka mbetur te drejtoria e prokurimit që t’i zhvillojë procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do ta kryejë auditimin për subjektet politike për vitet 2018 dhe 2019.

Partitë politike të dy llojet e raporteve i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili shton se ato kanë mbetur të paaudituara.

Ai thotë se auditimi i këtyre raporteve nuk është përgjegjësi e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Është detyrim ligjor për subjektet politike që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të dorëzojnë dy lloje të raporteve, fillimisht për çdo vit duhet të dorëzojnë raportin vjetor financiar, ndërkaq kur ka zgjedhje duhet të dorëzojnë raportet e deklarimit të shpenzimeve të fushatës. Sa i përket raporteve vjetore financiare kanë mbetur të paaudituara raportet të cilat i përkasin vitit 2018 dhe 2019, ndërkaq ka mbetur paaudituar edhe raportet të cilat i përkasin fushatës së zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2019. Nuk është nën përgjegjësinë ligjore të KQZ-së që të bëjë auditimin e këtyre raporteve, kjo iu takon auditorëve të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës përmes komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike”, tha ai.

Duke qenë se auditimi i të dyja raporteve bëhet nga auditorët të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, KP ka kontaktuar kryetarin e këtij komisioni Bedri Hazma, e i cili ka rekomanduar që për këtë çështje të adresohen pyetjet në administratën e komisionit.

Në një përgjigje me shkrim nga administrata, thuhet se në mbledhjen e 26 qershorit të komisionit kanë kërkuar që të sigurohet buxhet për këtë procedurë.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhje e mbajtur me 13 mars 2020, ka proceduar kërkesën për të filluar proceduarat e prokurimit për Auditim të raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës, të subjekteve politike për vitin 2018 dhe për vitin 2019. Po ashtu, në mbledhjen e fundit të komisionit të mbajtur me datë 26 qershor 2020, komisioni ka kërkuar nga Administrata e Kuvendit që të sigurohet buxhet për këtë procedurë, për shkak se kemi dy vite të pambuluara të auditimit për subjektet politike. Kjo çështje ka mbetur te Drejtoria e prokurimit që t’i zhvilloj procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do ta kryejë auditimin për subjektet politike për vitet 2018 dhe 2019. Nuk kam informata të tjera se deri ku ka arritur ky proces dhe nuk mund të ju informoj më shume tani për tani, për shkak se për shkak të rasteve pozitive me Covid 19, në Kuvendin e Kosovës, janë testuar pothuajse të gjithë Drejtorët e Drejtorive dhe tani janë duke i ndjekur rekomandimet e IKSHPK-së, për një periudhë janë në vetizolim dhe pjesa e tjetër e Administratës është duke punuar me staf të reduktuar”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, deputetët anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, thonë se nuk i shmangen auditimit të raporteve financiare të partive që iu përkasin, por se për shkak të mungesës së buxhetit nuk është realizuar auditimi.

Deputeti i PDK-së, pjesë e komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Sejdi Hoxha, thotë se në mbledhjen e fundit e kanë ngritur çështjen e auditimit të raporteve financiare dhe se kjo çështje ka mbetur të trajtohet në mbledhjen e radhës.

Ai thotë se auditimi është një proces ligjor, i domosdoshëm dhe i cili duhet të ndodhë, derisa potencon se nuk ka pasur hamendësim nga asnjë anëtarë i këtij komisioni që ky auditim të ndodhë.

Them me plot sinqeritetin që nuk ka pasur asnjë hamendësim as nga anëtarët e tjerë të komisionit të cilët vijnë nga partitë e tjera politike. Unë mendoj që auditimi është një proces ligjor, i domosdoshëm, i cili duhet të ndodh dhe unë besoj që në mbledhjen e parë të komisionit e cila do të mbahet do të jetë në rend të ditës auditimi i pasqyrave financiare të partive politike dhe besoj fuqishëm që një proces i tillë do të ndodh për të gjitha partitë politike”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LVV-së në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, Eman Rrahmani, thotë se është për keqardhje që përderisa si parti politike kërkojnë prej secilit institucion auditim, një gjë të tillë nuk e bëjnë për vete.

Është për keqardhje ku ne kërkojmë auditim për secilin institucion, kurse për subjektet nga vijmë nuk kemi auditim të brendshëm dhe nuk jemi transparent. Ne kërkojmë që fillimisht të bëhet auditimi i joni që ne aty po i auditojmë të tjerët, pastaj të kemi edhe kredibilitet dhe t’iu tregojmë që edhe ne jemi transparent së pari për veten dhe kemi arsye edhe për t’i kritikuar dhe për t’i këshilluar të gjitha institucionet ku fatkeqësisht po ka shumë të gjetura në secilin institucion financiar në Republikën e Kosovës“, thotë ai.

Mosauditimin e raporteve financiare të partive politike e sheh si mungesë të transparencës, Florent Spahija nga KDI. Ai thotë se mungesa e buxhetit shpesh jepet si arsye për mosauditim, por që sipas tij, nuk ka edhe vullnet politik që ky auditim të ndodhë.

Ai potencon se për një subjekt politik do të duhej të ishte esenciale transparenca e financave të tyre por që thotë se në Kosovë nuk ekziston një gjë e tillë tash e sa kohë.

Shpesh herë buxheti është arsyeje pse subjektet politike nuk arrijnë dakord të vendosin auditor, po që konsideroj që nuk ka edhe vullnet politik për me u aditu ato. E keqja është që KQZ nuk i publikon të gjitha raportet ashtu siç vijnë, po i publikon vetëm të audituara, unë kisha me thënë që kish me qenë hap shumë i mirë që KQZ t’i publikoj ashtu siç i dërgohen asaj të gjitha raportet. Më pas të shohim kur dalin të audituara si janë ato raporte mbas auditimit, cila është saktësia e tyre, ku janë shkarjet e subjekteve politike dhe si harxhohen paratë publike“, thotë ai.

Spahija deklaron se shumë pak dihet për shpenzimet që bëjnë partitë politike, derisa thekson se është e rëndësishme që qytetarët të dinë se ku dhe si i shpenzojnë paratë publike subjektet politike./KP