Qendra e Studentëve e cila gjatë muajve të parë të përhapjes së pandemisë në Kosovë u shndërrua në karantinë, nuk u shfrytëzuar vetëm për karantinim të qytetarëve të Kosovës që ktheheshin nga vendet e jashtme. Në këtë qendër ishin strehuar edhe rreth 10 viktima të dhunës në familje. Karantinimi i këtyre viktimave u bë me qëllim që të parandalohet shpërthimi i pandemisë në strehimoret për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

E ideja e izolimit të viktimave të dhunës në familje në konvikt kishte rrjedh nga vetë drejtuesit e strehimoreve e cila u aprovua më pas edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë.

Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Zana Hamiti tha se shumë gra në kohë pandemie e izolimi nuk gjetën strehë në shtëpitë e tyre, duke u detyruar të largoheshin.

Ajo tha nga frika se ato mund të jenë të infektuar me COVID-19 dhe mund ta bartin infeksionin tek banoret e tjera në strehimore u vendos që fillimisht për dy javë të karantinoheshin në Qendrën e Studentëve, të testoheshin dhe më pas të strehoheshin në Qendrat për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Hamiti thotë se viktimat e dhunës në familje kanë qenë të vendosura në një hapësirë të veçantë nga ajo se ku qëndronin shtetasit kosovarë që kishin ardhur nga vendet e huaja.

“Si propozim i yni i të gjitha strehimoreve ka qenë viktimat njëherë të testohen ato që kërkojnë strehim për arsye se kanë mundur me qenë të infektuara dhe të infektohen edhe pjesa tjetër e të strehuarave që i kishim gjatë asaj periudhe. Dhe është marr vendimi nga ministria e Drejtësisë dhe e Shëndetësisë që viktimat që kërkojnë strehim fillimisht të karantinohen në qendrën e Studentëve për dy javë, e pastaj të vendosen nëpër komunat përkatëse në secilat strehimore. Ka qenë konvikt i veçantë për viktimat e dhunës në familje. Ishte një lehtësim i madh se gjatë asaj periudhe ne kemi pasur të strehuara edhe raste të tjera, kjo ishte për një muaj ishte kjo periudhë prapë u mësuam edhe me këtë periudhë të pandemisë.. Gjatë asaj periudhës më 27 prill është marrë vendimi deri në fund të maj kanë qenë tre raste që i kanë takuar komunës së Prishtinës dhe ato tri raste kanë qëndruar në strehimore” , tha Hamiti.

Hamiti e cila dikur e kishte përkrahur karantinimin e viktimave të dhunës në familje sot del kundër kësaj ideje.

Ajo thotë se izolimi në konvikte ka qenë një thyerje e dyfishtë për gratë ndaj të cilat u ushtrua dhunë.

“Nuk do të dëshiroja të karantinoheshin viktimat sepse për viktimat ka qenë thyerje e dyfishtë sepse në strehimore i kanë kushtet pothuajse sikur në shtëpi këto ambientohen kanë shoqërinë i kanë hallet e njëjta i tejkalojnë hallet më lehtë. Tash po dimë edhe si të mbrohemi nuk do kisha kërkuar që viktimat të karantinoheshin nëse është rast i dhunës drejtpërdrejtë të vinë në strehimore. Edhe ashtu numri i raportimit të rasteve të viktimave të dhunës është në rritje por jo që kërkojnë strehim nuk është në rritje sepse po frikësohen për atë arsye duhet t’u tregojmë se i kanë kushtet edhe nëse vjen deri tek infektimi”, tha Hamiti.

Duke mos dashur të flas lidhur me këtë çështje para kamerës me arsye se gjithçka që ka ndodhur aty është konfidenciale, përmes një emaili menaxheri në atë kohë i Qendrës Karantinë në Qendrën e Studentëve, Valdet Hashani ka treguar për KosovaPress se qëllimi i karantinimit për dy javë në konvikte të grave që u ushtuar dhunë ishte që ato fillimisht të mbrohen nga dhunuesi e më pas të pengojë edhe shpërndarja e koronavirusit në strehimore.

“Është nxjerr dhe Qarkorja për Koordinim ndërinstitucional në situatë pandemie, ku qëllimi i kësaj qarkoreje ka qenë koordinimi ndërinstitucional për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore në nivel vendi. Vlerësimi i situatës në atë kohë dhe rekomandimet e IKSHPK ishin që në rast të identifikimit të simptomave të para që një person mund të ishte me Covid – 19 si masë e parë në parandalim ishte që raste të tilla të vetizoloheshin. Kur kemi të bëjmë më viktima atëherë situata ishte që këto raste të kishin një vend të sigurt fillimisht nga dhunuesit dhe pastaj pas testimeve të strehoheshin në strehimore. Arsyeja e karantinimit në objekt të veçantë në QS kishte të bënte me mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe me parandalimin e shpërndarjes së virusit korona”, thuhej në këtë shkresë elektronike.

Se në Qendrën e Studentëve kishin qëndruar viktima të dhunës në familje e ka konfirmuar për KosovaPress edhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta. Ai tha se diku 10 gra që kanë qenë cak i dhunës në familje janë sjell në karantinë.

Sfishta ka deklaruar se ka pasur edhe fëmijë që bashkë me nënat e tyre janë karantinuar në Qendrën e Studentëve, por shton se me sistemin e tyre dhe largimin nga qendra është marr ministria e Shëndetësisë.

“Kanë qenë deri në 10 persona në fakt ët gjitha kanë qenë femra dhe krejt pjesën e sistemit të tyre pranimit të tyre dhe largimit të tyre nga qendra e ka menaxhuar ministria e Shëndetësisë. Pjesën tjetër logjistike si për të gjithë të karantinuarit ne e kemi kryer…Momentin që është vendosur të sillet një person aty ne i kemi krijuar kushte…Ka qenë pjesë e veçantë…Edhe ato janë testuar para se me dal nga karantina”, theksoi Sfishta.

Gjatë fillimit të pandemisë e sidomos gjatë kohës kur vendi ynë ishte i izoluar shifrat e dhunës në familje shënuar ngritje për 30 për qind.

E organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave bënin thirrje për avokim dhe trajtim si duhet karshi viktimave.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës për KosovaPress deklaron se vendosja për izolim në QS dhe testim të viktimave të dhunës në familje ishte një zgjidhje emergjente, ndoshta jo më e mira por konform rrethana në të cilat gjendej vendi gjatë muajit prill dhe maj si pasojë e përhapjes së pandemisë.

Berisha thotë se zgjidhja e duhur do të ishte sikurse nga shtëpia të largohej dhunuesi e jo viktima.

“Kjo ka qenë një situatë që ka ardhur për shkak të emergjencës dhe ne mundem themi se nuk ka qenë ideale por në ato kohë të pandemisë asgjë nuk ka qenë ideale për qytetarët e Kosovës, kjo ka qenë një zgjidhje e mundshme e vetme në atë kohë për tu siguruar që gratë që përjetojnë dhunë në familje dhe ka gjasë që janë të infektuara me COVID-19 të rrinë në këtë qendër dhe mos t’i rrezikojnë jetën e grave dhe fëmijëve në strehimoret që janë të dedikuara për viktimat e dhunës në familje. Kjo ka qenë marrëveshje mes strehimoreve ato e kanë parë për shkak se e ne dimë se strehimoret edhe në kushtet normale ballafaqohen me sfida të ndryshme për to ka qenë frika se në rast se do filloj të shpërndahet COVID-19 Brenda klientëve që i kanë në strehimore do ishte problem edhe më i madh kjo ka ardhur si një zgjidhje emergjente ndoshta jo më e mira por komfor rrethana në të cilat gjendeshim ata muaj”, theksoi ajo.

Nga 18 marsi, saktësisht pesë ditë pas konfirmimit të dy rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, me vendim të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr atë kohë nga ish-kryeministri, Albin Kurti, Qendra e Studentëve u shpall qendër karantinë. Konviktet e studentëve u kthyen në strehë për shtetasit kosovarë që ktheheshin nga vendet e huaja në gjatë muajit prill dhe maj, shkaku i pandemisë./kp