​Qeveria merr kredi 71 milionë euro për rrugën e Pejës

Kosova dhe BERZH-i marrëveshje për autostradën Prishtinë-Pejë në vlerë 71 milionë euro

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Transport e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZh) Sue Barrett kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Hua për Ndërtimin e segmentit të rrugës Kijevë – Zahaq të Autostradës Prishtinë – Pejë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Hamza tha se “Kam kënaqësinë e veçantë që sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të nënshkruajmë marrëveshjen financiare në vlerë prej 71 milionë euro, Marrëveshje e cila është e dedikuar për financimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike në vendin tonë”.

Ai bëri të ditur se “Pas një pune jashtëzakonisht dinamike dhe shumë të suksesshme, për çka dëshiroj që ta falënderoj stafin e BERZH-it, stafin e Ministrisë së Financave dhe stafin e Ministrisë së Infrastrukturës që kanë punuar jashtëzakonisht shumë deri në finalizimin e kësaj Marrëveshje. Ne sot e konkretizuam këtë Marrëveshje për një projekt që e ka vlerën prej 193 milionë euro”.

Hamza gjithashtu bëri të ditur se “komponentat e financimit të këtij projekti janë: 71 milionë euro nga BERZh, 80 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime, që jemi në negociata pothuajse në fazën përfundimtare, ku gjatë vizitës sime në Luksemburg kemi konkretizuar pjesë edhe të kësaj marrëveshje dhe presim që në pjesën e parë, në tremujorin e parë të vitit 2018 ta nënshkruajmë. 38 milionë euro do të jenë financim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 3.2 milionë euro janë grant, para falë nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimore dhe 600 mijë euro janë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

“Kredia është me kushte jashtëzakonisht të volitshme, ku norma e interesit është 1% plus Euribor, maturiteti është 12 vjeçar dhe 3 vite janë grejs periudhë, d.m.th është një Kredi për financimin e një projekti i cili do të kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe krijimin e kushteve të mira edhe për bizneset, por edhe për qytetarët që kalojnë në këtë rrugë, por është edhe me kushte shumë të favorshme me një normë të interesit 1% plus Euribor dhe me një grejs periudhë prej 3 vite”, shtoi Ministri Hamza.

Drejtoresha për Transport e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim Sue Barrett theksoi se BERZH-i ka kënaqësinë që ta nënshkruaj këtë Hua 71 milionëshe me Kosovën dhe janë të lumtur që mbështesin zhvillimin infrastrukturorë në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin perëndimor në funksion të rritjes ekonomike.

“Siç e tha edhe Ministri Hamza, kjo Hua jepet për financimin e vazhdimit të rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës që është pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës të Ballkanit perëndimor pjesa e rrugës 6B. Dhe ndërtimi i këtij rrjeti rrugor është me rëndësi për lidhjet e qyteteve të Kosovës, njëkohësisht për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi”, shtoi drejtoresha Sue Barrett.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën, që nënshkruam një Marrëveshje me BERZh-in që të financohet një segment rrugor që i lidhë korridoret, por që ka impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai me këtë rast falënderoi Ministrin e Financave për korrektësinë, për saktësinë dhe për atë që sipas tij e ka premtuar dhe sot po e realizojmë. Gjithashtu falënderoj edhe zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës për punën profesionale dhe që në kohën më të shkurtë të mundshme kanë ofruar këtë Marrëveshje./21Media

 

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button