Kabineti qeveritar ka marrë sot vendim për ndalimin e procedurave të blerjes së veturave zyrtare nga të gjitha ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre.

Me këtë vendim obligohen ministritë dhe agjencitë, të cilat janë në proces të tenderimit të blerjes së veturave, t’i ndalojnë procedurat bazuar në Ligjin për Prokurim Publik.

Ministria e Punëve të Brendshme obligohet që brenda një jave nga hyrja në fuqi e vendimit të hartojë dhe të sjellë për aprovim një plan për inventarizimin e të gjitha veturave zyrtare dhe rishpërndarjen e veturave zyrtare sipas nevojave të institucioneve.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se duhet të sigurojnë shpërndarje të drejtë të veturave zyrtare nëpër ministri, pasi në disa institucione ka mungesë të tyre e në disa të tjera ka më shumë sesa që është nevoja.

“E para, kemi prioritete të tjera dhe e dyta, duhet të sigurojmë shpërndarje të drejtë të veturave në ministri të ndryshme. Unë e kam vërejtur këtë bashkë me ministrin e Shëndetësisë kur kemi shpërndarë inspektoratin në krejt Kosovën dhe gjithashtu policinë 12 orë nëpër stacione të ndryshme, pothuajse nuk kanë fare vetura, edhe inspektoratet gjithashtu, por ka edhe shërbime të tjera që mungojnë. Ndërkohë, nëpër institucione tjera mund të ketë vetura më shumë sesa që kanë nevojë. Prandaj, e kemi propozuar këtë vendim që MPB të bëjë inventarizimin dhe në përputhje me nevojat, ne prapë do të marrim një vendim se si do t’i shpërndajmë ato vetura”, tha Hoti.

Lidhur me këtë kanë reaguar ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq dhe ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, duke thënë se në ministritë e tyre kanë numër të vogël të veturave për punëtorët që u nevojiten në terren.