Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme ka miratuar disa vendime të reja në luftën kundër pandemisë Covid – 19. Ndër tjerash, janë ndaluar edhe të gjitha aktivitet sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Mirëpo një gjë e tillë po kundërshtohet nga komuniteti sportiv në Kosovë.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani e sheh si shqetësues këtë reagim nga njerëzit e komunitetit të sportit. Ai u shpreh se ky vendim do të ndikojë negativisht për skuadrat, të cilat kanë siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, dhe sportistët të cilët janë duke u përgatitur për Lojërat Olimpike.

“Shqetësuese janë edhe reagimet e njerëzve të komunitetit të sportit rreth këtyre masave, sepse realisht nuk po i lejojnë për dy javë, tre javë të stërvitin klubet ekipore. Nëse nisemi prej klubeve të Kosovës që dalin në Evropë, ndërprerja e këtyre vërtetë afekton shumë në përgatitjen e tyre dhe në rezultatin e tyre nga ana tjetër i kemi edhe sportistët që përgatiten për Lojërat Olimpike, por kemi edhe një numër të komunitetit të sportit të cilët vërtetë të vetmen të hyrë si trajner e kanë me sport, kanë huazuar hapësira të ndryshme dhe kemi domethënë dy shqetësime”, tha Hasani.

Gjithashtu i pari i KOK-ut bëri të ditur se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk janë konsultuar me institucionin të cilin ai e udhëheq për këto vendime, dhe këto vendime janë ekskluzivisht të Qeverisë Hoti.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe në IKSHP janë dosjet e secilës federatë për instruksionet të cilat i kanë marrë për federatat ndërkombëtare se si duhet të ruhen, pra duke i marrë parasysh specifikat e secilës sport veç e veç. Ky konsultim ka qenë deri në këtë rastin e fundit. Realisht, ky vendim mbase është rezultat i rrjedhave të mëhershme, por është vendim ekskluzivisht i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës, pa konsultim së paku nga pjesa joqeveritare dhe po besoj së është dashur të konsultohen, sepse ne kemi informatat të më shumta, por mbase është rezultat i shqetësimeve i një numri kaq të madh dhe rritjes nga dita në ditë”, ka thënë ai.

Hasani potencoi se KOK-u është i gatshëm të konsultohet me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për çfarëdo vendim që pritet të merret në të ardhmen.

“Janë disa sporte që mbase edhe koha është shumë e limituar do të thotë se ka prioritete të ndryshme edhe në IKSHP edhe në MSH, por i kanë dosjet, i kanë materialet që ndoshta në mënyrë selektive mund të bëjnë. Por munden edhe të konsultohen me Ministrinë e Sportit, por edhe KOK-u është në disponim që t’i ndihmojë… Në këtë drejtim ne do të jemi pro-aktiv, por edhe e shprehim hapur gatishmërinë për bashkëpunim edhe me Ministrinë e Sportit, Shëndetësisë, por edhe Qeverinë e Kosovës”, përfundoi Hasani.

Kujtojmë që për këto vendime më së shumti janë ankuar shkollat e futbollit si dhe skuadrat të cilat kanë siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, të cilat tanimë duhet të kryejnë fazën përgatitore për ndeshjet e rëndësishme që pritet të zhvillohen gjatë muajit gusht./kp/