Deputetët kanë shqyrtuar në lexim të parë edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, i cili ka marrë mbështetjen nga të gjitha grupet parlamentare, por nuk është hedhur në votim për shkak të mungesë së deputetëve joshumicë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, duke prezantuar ligjin ka kërkuar mbështetjen e deputetëve, duke thënë se e kanë dërguar në Kuvend, pas shqyrtimit të tij nga Komisioni i Venecias.

E përkundër faktit që morri përkrahjen e Vetëvendosje, ai ka pasur kritika për mos përfshirjen e komunitetit Bektashian, gjë që ka marrë mbështetjen e zëvendëskryeministrit Selmanaj për plotësim në lexim të dytë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka thënë se për formimin e një bashkësie fetare, do të duhej të ketë nënshkrimet e 1 përqind të popullsisë së Kosovës.

“Nuk pajtohem të ketë një regjistrim me 50 apo 100 vet, pasi nëse regjistrohet një person për kryetar të komunës i duhet së paku 500 nënshkrime“, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ehman Rrahmani është shprehur se formimi i bashkësive fetare me numrin e propozuar krijon rrezik kombëtar.

“Bashkësitë fetare kanë treguar shembullin e tolerancës dhe mirëkuptimit dhe merremi çdoherë shembull edhe në botë për këtë tolerancë e nëse lejojmë bashkësi fetare me 100 anëtarë, atëherë do të kemi me qindra bashkësi fetare, e do të formojnë edhe mahallat bashkësi fetare, pa asnjë problem me këtë që e keni propozuar ju si qeveri”, ka deklaruar ai.

Zëvendëskryeministrit Selmanaj ka bërë një hulumtim dhe ka thënë se në shumicën e vendeve demokratike, formimi i bashkësive fetare kërkon numër edhe më pak se sa 100.

“Raportin e Komisionit të Venecias ua sjellim dhe ata na kanë rekomanduar për këtë. Ata ka kanë thënë 10 mjafton sepse liria e besimit është krejtësisht e vullnetshme “, ka thënë ai.

Në fund nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së deputetëve të pakicës. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se për këtë ligj kërkohet shumica prej 61 deputetëve dhe shumica e votave të pakicave, meqë është ligj me interes të veçantë.