Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Qeveria thotë se po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin

2 min read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të kryesuar nga Mark Bowman, zv. President i BERZh për Politika dhe Partneritet, Oleg Levitin, Zëvendës Drejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike, si dhe Neil Taylor, Udhëheqës Rezident i Zyrës së BERZh në Kosovë.

Duke theksuar se BERZh-i mbetet një ndër partnerët kryesorë zhvillimorë të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i falënderoi në emër të Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u bisedua për projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

Sipas komunikatës së Qeverisë, u tha se pavarësisht sfidave, ekonomia është e qëndrueshme dhe po zgjerohet vazhdimisht, ndikuar edhe nga Pako e Ringjalljes Ekonomike. “U veçua mbështetja për prodhuesit vendorë, rritja e subvencioneve në bujqësi dhe subvencionimi i çmimeve të energjisë elektrike. U veçua edhe themelimi i Gjykatës Komerciale”.

“Duke theksuar se sundimi i ligjit dhe transparenca janë thelbësore për një klimë të mirë investimi, u tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për këtë gjatë gjithë mandatit. U bisedua edhe për ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, në rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë. U theksua se Qeveria po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin me një sërë masash” thuhet tutje në komunikatë.

Duke ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për tranzicion drejt energjisë së gjelbër, kryeministri Kurti falënderoi BERZh-in, që krahas partnerëve si  MCC, KfW dhe EIB, na mbështesin në këtë drejtim.

Në këtë takim u potencua se partnerët ndërkombëtarë kanë luajtur rol kyç në shtyrjen e agjendës sonë përpara lidhur me përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në përgjithësi./21Media