Qeveria obligon institucionet private dhe publike të organizojnë në distancë punën me stafin.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë është përkrahur vendimi që të gjitha institucionet publike dhe private të organizojnë punën me stafin e tyre duke respektuar distancën ose online nga shtëpitë e tyre.

Ministri Armend Zemaj tha se kjo po bëhet me rekomandim të IKShP-së, ku shtoi se të gjithë institucionet publike e private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze për bartje të maskave.

“Të gjitha institucionet publike dhe privatë në Republikën e Kosovës obligohen të organizojnë punën ne distancë me stafin e tyre apo nga shtëpitë e tyre online, në funksion të kryerjes së detyrave bazuar në legjislacionit në fuqi, që nënkupton reduktim të stafit. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze të bartjes se maskave në hyrje të çdo institucioni. Të gjitha institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të organizojnë punën mes e tyre në përputhje me manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19. Obligohen institucionet e qeverisë së Kosovës dhe inspektoratet relevante të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, tha Zemaj.

Zemaj tha që kanë për qëllim të përmirësojnë situatën në vend të krijuar nga përhapja e virusit.