Djegia e billbordit “Liria ka emër” me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot në Graçanicë, ka ngjallur debat në komisionin parlamentar ku po raportoi ministri nga radhët e komunitetit serb Goran Rakiq.

Ky i fundit ka thënë se nuk është në dijeni për këtë ngjarje dhe se për këtë duhet pyetur policia.

Rakiq ka raportuar rreth mendimit ligjor që ka dhënë Ministria e Pushtetit Lokal lidhur me riorganizimin e shkollave në komunën e Kamenicës, për çka ka hasur në kundërshtimin e deputetëve.

Persona ende të paidentifikuar, mëngjesin e së martës i kanë vënë flakën billbordit “Liria ka emër UÇK”, në Kishnicë të Graçanicë, zonë kjo e banuar me shqiptarë.

Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu ka pyetur kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Duke pasur parasysh edhe qëndrimet e juaja në aspektin politik kohëve të fundit, më intereson të të pyes për atë që ka ndodhur në Graçanicë, ku është djegur billbordi ‘Liria ka emër’ në të cilin ka qenë e vendosur edhe stema e UÇK-së, ka ndodhur të digjet stema e UÇK-së që për ne është vlera më sublime për liri dhe pavarësi”, tha ajo.

Ajo ka ngritur dyshimin nëse veprime të tilla sot janë bërë me udhëzime nga Beogradi. E për këtë, ministri Goran Rakiq tha se duhet që të pyetet Policia e Kosovës.

Kryeziu tha se nuk e njeh Goran Rakiq si ministër, e as ndonjë ministër të qeverisë aktuale. Ndërsa kryetari i Listës Serbe tha se mund të jep përgjigje vetëm në zyrën e partisë, meqë siç tha ai, në komision është në cilësinë e ministrit.

Në Komisionin për Qeverisje Lokale, Rakiq u kundërshtua nga deputetët rreth mendimin ligjor që ka dhënë kjo ministri, i cili nuk e kundërshton vendimin e kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati lidhur me riorganizimin e shkollave në këtë komunë.

Rakiq tha se komuna i ka kompetencat që të marrë vendime, ndërkohë ministria vetëm mund të jep mendime nëse ato janë në përputhje me ligjin.

Ndërsa deputeti Valon Ramadani tha se ministri është dashur të rrëzojë vendimin e kryetarit Kastratit.

Në këtë komision Rakiq është pyetur edhe rreth ndarjes së fondeve nga Ministria e Pushtetit Lokal, për çka ai ka thënë se bashkë me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, kanë takuar qytetarët e komunave dhe kanë përkrahur komunat në nevojë në luftën me COVID-19, pavarësisht etnisë./kp