Mbledhjet mes dy qeverive shqiptare pritet të rikthehen. Muaji shtator është vënë si afat i ri për takim në Shkodër mes dy ekzekutiveve shqiptare.

Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët për medie ndërmjet kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij, Avdullah Hoti.

I pari i qeverisë shqiptare, Edi Rama tha se në takimin me kryeministrit kosovar janë dakorduar për realizim të marrëveshjeve që kanë mbetur pezull.

“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive. Me shpresën që situata jo e lehtë në lidhje me Covid-19 të na lehtësojë më gjysmën e shtatorit. Ashtu dhe jemi dakorduar edhe për një event të parë mesnesh, në Tiranë në nëntor dëshirojmë që dy qeveritë të sponsorizojmë kongresin e parë të autoriteteve vendore që dëshirojmë të kthehet në një kongresë tradicional që bashkitë apo komunat të ndajnë sfidat dhe praktikat e përbashkëta.Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës, që në zbatim është jo e plotë”, tha ai.

Derisa ritheksoi qëndrimin e tij pro një shengeni rajonal.

“Shengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim ku shqiptarët këndej dhe andej kufirit duhet të shohin interesin e tyre si strategji”, tha ai.