Rama kërkon bashkëveprim rajonal me komunat për trajtimin e qenve endacak
Përpilimi i strategjisë kornizë për trajtimin e qenve endacak ishte temë diskutimi mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësuesve nga BE-ja dhe organizatave joqeveritare.
Pas takimit, Rama në një konferencë për media kërkoi bashkëpunim midis komunave për trajtimin e qenve endacak, si dhe bëri të ditur se do të krijohet një fokus grup, i cili do të ketë ndërlidhje mes nivelit lokal me atë qendror, me organizatat joqeveriatre dhe me ndërkombëtarët.
I pari i Prishtinës tha se kjo problemi i qenve endacakë duhet të zgjidhet në bashkëpunim me komunat e jo vetëm në nivel lokal.
“Pikat të cilat i shqyrtuam është se komunat faktikisht duhet të punojnë së bashku, pra problemi nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin lokal në komunën e Prishtinës. Por duhet të jetë një bashkëveprim rajonal, një bashkëveprim gjithështetëror për zgjidhjen e problemit të qenve endacak… Ministria e Bujqësisë ka informata që problemet kyçe vijnë edhe prej zonave rurale ku qentë nepër shtëpi të ndryshme shumohen ata vetëm lëshohen pa qenë të kontrolluar… Ne vetëm e kemi inicuar kontratën me organizatën joqeveritare e cila merret pikërisht më këtë çështje. Pra me kastrim/sterilizim të qenve në momentin nëse gjendet një tufë e qenve në një zonë që cenojnë shëndetin e njeriut pra janë të rrezikshëm atëherë veçse kemi kontratën me organizatën e cila merret menjëherë me këtë problem”, tha ai.
Më tej, ai tregoi edhe për fillimin e procesit të dizajnimit të strehimores e cila do ndërtohet në afërsi të Badovcit.
“Qendra që ka qenë e inicume është ndal. Tash e kemi ri-iniciuar zhvillimin e qendrës për sterilizim, kastrim po ashtu e kemi gjetë edhe një tokë ku kemi filluar procesin e dizajnimit për të krijuar strehimoren, por kjo në bazë diskutimit që e patëm sot, strehimorja faktikisht jo çdo komunë se duhet të jetë një bashkëpunim ndër rajonal edhe me komunat tjera përreth. Kemi me organizua tash edhe takimin tjetër me komunat tjera që strehimorja t’i shërbejë komunës së Prishtinës mirëpo edhe komunave tjera, ta ngrisim nivelin e dijenisë me qytetarët tonë se si trajtohen qentë në mënyrën më humane.(Parcela) Kjo tash ekzistuese i ka kalu të gjitha këto aspektet e analizës pra edhe prej Ministrisë së Ambientit i kemi të gjitha licencat, poashtu edhe prej urbanizimit, e njëjta gjendet afër Badovcit”, tha Rama./KP