Ramosaj tregon se nuk janë konsultuar nga Ministria e Shëndetësisë për masat shtesë

Ramosaj tregon se nuk janë konsultuar nga Ministria e Shëndetësisë për masat shtesë

Pas vendimit të mbrëmshëm të ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia për masa më rigoroze sa i përket kufizimit të lëvizjes, qytetarët e komunës së Deçanit kanë shkaktuar kaos në qytet.

Bankat, marketet, e operatorët ekonomikë janë stërmbushur, e për këtë kryetari i kësaj komune i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet vendimi, dhe të shpallet gjendje e jashtëzakonshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ndër të tjera, Bashkim Ramosaj në një intervistë për kp thotë se kryetarët e komunave nuk janë konsultuar për këto vendime nga niveli qendror.

Deri më tani Ramosaj thotë se janë bërë 26 testime ku është dyshuar për virusin COVID-19, por ende nuk ka rezultuar ndonjë rast pozitiv.

Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se pas karantinimit të Prishtinës, shumë qytetarë janë kthyer në Deçan dhe se do të ketë mundësi të përhapjes së këtij virusi.

Pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, Ramosaj tregon se gjatë ditës së djeshme ka marrë disa vendime, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit. Ndër të tjera, thekson se ato lokale që nuk do të respektojnë masat, do të mbyllen.

Bashkim Ramosaj tregon se nuk janë konsultuar nga Ministria e Shëndetësisë për masat shtesë që do të hyjnë në fuqi nga nesër. Për këtë, ai thotë se sot është shkaktuar kaos në Deçan.

Sipas tij, QKMF-të janë të pajisura mirë me materiale shëndetësore në komunën që ai udhëheq, megjithatë thotë se furnizimet kanë qenë të vështira. Në anën tjetër, kërkon nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, nà « mënyrë që të mos shtohet fluksi i personave të prekur me koronavirus.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur mbrëmë që nga data 15 prill, qytetarët do të mund të dalin jashtë shtëpive vetëm një herë në ditë, dhe atë për vetëm një orë e gjysmë sa për të kryer furnizimet me artikuj të domosdoshëm ushqimorë ose obligime tjera financiare.