Është arritur marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Për këtë ka shkruar i pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ai ka thënë se mori fund bllokada e paqëndrueshme rreth ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë.

“Mori fund bllokada e paqëndrueshme rreth ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë. Në takimin e sotëm të Jashtëzakonshëm të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (KZM) të mbajtur në Zyrën e Bashkimit Evropian, me vetëm një pikë në agjendë: dakordimin e marrëveshjes së lehtësuar nga Ambasadori Italian Nicola Orlando, Gjeneral Michele Risi dhe me mbështetjen e vendeve të QUINT-it, KFOR-it, dhe Zyrës së BE-së, e cila parasheh zhbllokimin e ndërtimit sipas fazave që do të zhvillohen në sinkron të ndërsjellë, ndërtimin e rrugës ndërkombëtare bypass jashtë Zonës së Mbrojtur, si dhe rrugës lokale brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur”, ka shkruar Ramosaj.

Ramosaj thotë se sipas kësaj marrëveshjeje komuna e Deçanit do të procedojë me rehabilitimin/shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të Manastirit, në trasetë e tyre ekzistuese, si rrugë lokale duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallërave dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë Bjeshkët per gjatë grykës së Deçanit.

“Me të njëjtën dinamikë të sinkronizuar, do të rehabilitohet edhe rruga e bypass, duke i dhënë fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, hapjen e perspektivës ekonomike lokale, realizimit të lirisë së lëvizjes për banorët e Deçanit veçanërisht, dhe lidhjes ndërkombëtare ndër-shtetërore me Plavën. Urime Deçan. Vazhdojmë tutje!”, ka shkruar kryetari Ramosaj.

Marrëveshja thuhet se është bërë me ndërmjetësimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Nga zyra e kryeminsitrit kanë thënë se mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit.

Tutje thuhet se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.