Kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka komentuar raportin vjetor të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ai tha se në raport konfirmohet se në shumicën e fushave është arritur progres drejt integrimeve evropiane dhe se Kosova vazhdon t’i mbajë të plotësuara kriteret për liberalizim të vizave.

I pari i ekzekutivit para ministrave tha se do të bëjnë një plan veprimi për të adresuar sfidat e identifikuara në këtë raport.

“Siç e keni pa, në shumicën e fushave është bërë progres drejt integrimeve evropiane, me vërejtje që sigurisht ky raporti identifikon në fusha të caktuara. Atë që unë e shoh pozitive në raport është që Komisioni Evropian nxjerr në pah që Kosova vazhdon t’i mbajë të plotësuara kriteret për viza të plotësuara në korrik të vitit 2018 dhe e nxjerr në pah gjithashtu vendosmërinë e kësaj qeverie për të çuar përpara reformat për integrime evropiane dhe e sheh me kredibilitet këtë qeveri dhe rolin që po luan kjo qeveri në fqinjësi të mirë, në promovimin e fqinjësisë së mirë, njihet si partner kredibil në regjion. Unë sot kam filluar takimet me institucionet tjera, kemi takuar me zëvendëskryeministrin, institucionet e drejtësisë, sepse shumica e komenteve, sugjerimeve lidhen me institucionet e drejtësisë. Atë që do të bëjmë ne si Qeveri është që do të përgatisim tash për secilën prej fushave plan të veprimit. Unë do të angazhoj Zyrën për planifikim strategjik dhe Zyrën për integrime evropiane të punojë së bashku me ju në mënyrë që shpejt të sjellim në qeveri një plan veprimi për adresimin e sfidave të identifikuara në raport ”, tha ai.

Mbledhja e Qeverisë nisi me kërkesën e kryeministrit Hoti, që nga rendi i ditës të shtyhet pika për shqyrtimin e vendimit për dhënien e statusit investitor strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods SHPK”.

Kërkesa e kryeministrit është kundërshtuar nga ministri i tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi, i cili tha se nuk ka arsye që kjo pikë e rendit të ditës të mos shqyrtohet.

“Ne biseduam për këtë çështje që të shtyhet për mbledhjen tjetër jo që do të prishte punë, mirëpo është shumë interesant që prej datës 1 të 9 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka bë këtë kërkesë që të futet në rend të ditës dhe janë kryer të gjitha procedurat, të gjitha interpretimet ligjore dhe të gjitha janë kthyer pozitive dhe nuk shoh një arsye pse të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës për mbledhjen tjetër, duke pasur parasysh se është një pikë se është shumë më rëndësi edhe për neve edhe për investitorët strategjik. Gjithashtu, kemi edhe kërkesa nga ambasadat që pse është vonuar kjo pikë e rendit të ditës. Është mirë ta kemi parasysh që të mos kemi vonesa sa i përket kësaj pike të rendit të ditës. Nuk shoh asnjë arsye shtyrjen e procedurave ligjore, pasi gjithçka është në kuadër të ligjeve në fuqi”, tha ai.

Kryeministri Hoti u shpreh se nuk do të ketë vonesë nëse shtyhet për mbledhjen e radhës.

“Besoj që shtyhet për mbledhjen tjetër nuk është ndonjë vonesë e madhe edhe i qartësojmë të gjitha çështjet lidhur me këtë pikë. Ta keni parasysh që pikat sigurisht përveç që duhet të marrin miratimin, pra t’i plotësojnë të gjitha procedurat teknike, ligjore për të hyrë në rend të ditës, ka edhe aspekte të tjera që ne duhet t’i marrim parasysh përpara se t’i votojmë këto pika, unë e marr për obligim që të kujdesemi që javën tjetër të qartësohen të gjitha çështjet që kjo pikë të renditet në rend dite”, tha Hoti.

Pas kësaj, ministri Krasniqi ka braktisur mbledhjen e qeverisë. E në mungesë të tij, kryeministri Hoti tha se pika e rendit të ditës rreth rregullores për grupet e produkteve që janë subjekt i mbikëqyrjes inspektuese, do të shtyhet për mbledhjen e radhës.

“E lus ministrin e Tregtisë dhe Industrisë apo nuk është këtu, largohet edhe kjo pikë nga rendi i ditës”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrime Evropiane. Ky koncept dokument ishte miratuar pasi Qeveria Hoti e ka shuar Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Po ashtu, është vendosur që zëvendëskryeministri Driton Selmanaj të jetë anëtar i Qeverisë në punimet e Kuvendit të Kosovës.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me dhënien e pajtimit për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Selmanaj tha se janë 20 vendime paraprake të qeverive të kaluara, të cilat i shfuqizojnë.

“Janë 20 vendime paraprake të qeverive të kaluara të cilët ne i shfuqizojmë, nuk po i lexoj për nga numrat, secilin e keni para vetes. Pas aprovimit të këtij propozimi obligohen të gjitha institucionet, organizatat buxhetore që të veprojnë në pajtim me ligjin për Prokurimin Publik dhe t’i ndjekin në mënyrë strikte të gjitha procedurat e përcaktuara me ligj dhe të mos kryejnë procedura të prokurimit sipas nenit 3 të ligjit për Prokurim Publik pa vendim të qeverisë”, tha ai.

E kryeministri Hoti tha se është një vendim për të pamundësuar të gjitha organizatave buxhetore që të zhvillojnë procedura të prokurimit një burimore.

“Mendoj që është një vendim që sot po e marrim me interes për të pamundësuar të gjitha organizatave buxhetore që të zhvillojnë procedura të prokurimit një burimore përveç kur merret vendimi eksplicit i Qeverisë dhe kur plotësohen kushtet e ligjit për të zhvilluar procedura të tilla”, tha ai.

Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e “Marrëveshjes për Nxitjen e Investimeve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, tha se kjo nismë mundëson konkretizimin e zotimeve për projektet ekonomike të Kosovës dhe SHBA-ve të ndërmarra në marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.

“Për Qeverinë e Kosovës, kjo marrëveshje është e rëndësishme për thellimin e drejtpërdrejtë të bashkëpunimit me SHBA-të, ndërkohë që ka rëndësi strategjike për Kosovën në mundësimin e realizimit të investimeve amerikane. Gjithashtu, mundëson konkretizimin e zotimeve për projekte ekonomike të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve të ndërmarra në marrëveshjen e datës 4 shtator 2020 në Uashington”, tha ajo.

Është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë i datës 28 shtator 2020, për të siguruar që përfitues nga programi i masave për rimëkëmbje ekonomike të jenë edhe të vetëpunësuarit.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, tha se duhet të përfshihen edhe të vetëpunësuarit pasi që janë një numër i madh i bizneseve që përbëhen vetëm nga pronarët.

“Duhet të përfshijmë gjithqysh të vetëpunësuarit, sepse është një numër shumë i madh i bizneseve, të cilat përbëhen vetëm nga pronarët e tyre dhe kemi konsideruar se këto nuk duhet të mbesin jashtë subvencionimit të linjës së pagave edhe pse nuk kanë linjë të pagave megjithatë kontribuojnë në ekonominë e Kosovës dhe numri i tyre është i madh”, tha ajo.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030. Kryeministri Hoti tha se kjo strategji do të jetë dokumenti kryesor i planifikimit afatgjatë për të zbatuar vizionin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

“Kjo strategji do të ngërthejë në vete qëllimet që ka Kosova për anëtarësim në Bashkimin Evropian për ndërlidhje të objektivave për zhvillim të qëndrueshëm dhe do të adresojë sfidat me të cilat po përballemi edhe te rimëkëmbja ekonomike edhe te pandemia, dhe do të jetë dokument bazik për zhvillimin e kornizës afatmesme të shpenzimeve dhe dokumenteve tjera të ministrive përkatëse”, tha ai.

Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në shumën prej 13 milionë euro për Programin për Rimëkëmbje Ekonomike në kategorinë e “Subvencioneve dhe Transfereve”, për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike.

Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil në përbërje: Skender Halili kryesues, Ardian Gaxherri anëtar, Myzejene Selmani anëtare, Jeton Paloka anëtar, dhe Nazlie Krasniqi –Korçaj anëtare.

Rregullorja për atashetë e mbrojtjes ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Kjo rregullore përcakton statusin, detyrat dhe përgjegjësitë, procesin e përzgjedhjes, pranim-dorëzimin e detyrës, kohëzgjatjen e shërbimit, pagesën, kompensimet tjera dhe ndërprerjen e shërbimit të Atasheut të Mbrojtjes dhe oficerit ndërlidhës të akredituar në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës në vendet tjera apo në organizata ndërkombëtare.

Qeveria në pajtim me Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre ka emëruar tre përfaqësues të lartë nga Qeveria për anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Qeveria ka propozuar anëtarët Ivan Millojeviq, Lindon Pajaziti, Suad Ademi.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për zbatimin e Masës-9 për rimëkëmbje ekonomike sipas planit detajuar me fokus në komunitetet jo-shumicë, të cilin e ka përgatitur Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.

Plani përmban objektiva konkrete të mënyrës së zbatimit si dhe kritere të qarta për shfrytëzuesit, kushtet e aplikimit dhe format për vlerësim, zbatim dhe monitorim të procedurës për realizimin e masave.

Objektivi i parë synon sigurimin e nevojave themelore të jetesës për personat në nevojë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa objektivi i dytë synon zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19 ndaj ndërmarrjeve të vogla, kurse objektivi i tretë ofrimin e shërbimeve të gerontologjisë personave në nevojë nga komunitetet jo-shumicë; dhe objektivi i katërt ngritjen e vetëdijes tek banorët me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit COVID-19.

Dy vendime përfundimtare të shpronësimit të pronave të paluajtshme për interes publik, kanë marrë miratimin e Qeverisë.

Vendimi i parë është për shpronësimin e pronave të ish-Fabrikës së Tjegullave në Prishtinë, të cilat do të jenë në dispozicion të realizimit të projekteve të Komunës së Prishtinës, ndërsa vendimi i dytë për shpronësimin e ish-pronave shoqërore në Zabel të Ulët për ndërtimin e ‘Lokacionit për varreza’, pronat në Drenas dhe Çikatovë për ndërtimin e ‘Tregut të kafshëve’, pronat në Korroticë të Epërme për zgjerimin e ‘Zonës ekonomike në Drenas’, dhe pronat në Zabel të Ulët që do të shërbejnë për ndërtimin e Impiantit për Ujëra të Zeza.

Po ashtu, qeveria ka marrë vendim për ndryshimin e statutit të kompanisë rajonale të ujësjellësit ‘Bifurkacioni’ nga ndërmarrja publike lokale në ndërmarrje publike qendrore.

Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë që t’i rekomandohet presidentit Hashim Thaçi dhënia e autorizimit për ministrin e Drejtësisë për të nënshkruar marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje civile dhe tregtare me Shqipërinë./kp/