Raporti i Progresit për Kosovën: Veriu mbetet sfidues
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2021 për Kosovën. Në raport theksohet situata në veri të vendit, e cila vlerësohet si sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.
Po ashtu raporti vë në pah edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku thuhet se Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë.
Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja, raporti thekson se “Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë”.
Sipas Raportit, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.
“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes. Ekziston një niveli i përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike, por nuk ka pasur përparim në këtë drejtim gjatë periudhës raportuese, duke pasur parasysh ndryshimet e shpeshta të qeverisë. Ligji për Zyrtarët Publikë hyri në fuqi në qershor, por nuk u bënë përpjekje të ndjeshme për të filluar implementimin e tij veçanërisht në lidhje me rekrutimet. Krijimi i një departamenti qendror efektiv të rekrutimit u vonua. Ndikimi i pavend politik mbi emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të lartë publikë dhe nëpunësve civilë është vërejtur në disa raste dhe Kosova ka përmbushur vetëm disa nga zotimet e saj për kriteret e bazuara në merita. Nuk është bërë përparim në adresimin e pabarazive në sistemin e pagave të sektorit publik. Procesi i racionalizimit të agjencive ka ngecur. Pasiguria ligjore për bizneset dhe individët ngulmon për shkak të mungesës së vazhdueshme të progresit në harmonizimin e legjislacionit sektorial me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Ka nevojë urgjente për përtëritje të zotimit për reformën e administratës publike. Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin. Pandemia e COVID-19 ndikoi në përpunimin efektiv të lëndëve dhe mbajtjen e seancave gjyqësore (dhe qasjes së publikut në to) në Kosovë. Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, thuhet ndër tjera në raportin e KE-së për Kosovën.