Janë 24 mijë familje të cilat kanë përfituar deri më tani nga skema sociale, në vlerë prej 7 milionë e 650 mijë euro. Derisa janë mbi 5 mijë të tjerë të cilët kanë përfituar asistencë prej 130 eurove, persona këta të cilët nuk kanë pasur të hyra në familjen e tyre gjatë kohës së pandemisë.

Kështu ka njoftuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Reçica tha se si qeveri kanë paraparë një pako për rimëkëmbje ekonomike, e cila ndër të tjera mbështet punësimin që të ndikojë në rritje të punësimit edhe në këto kushte.

Ai tha se pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha në mirëqenie sociale, pasi sipas tij gjendje jo e mirë ka qenë edhe para përhapjes së korona virusit.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgjegjëse tani në zbatimin e tri masave të nxjerra nga Qeveria e Kosovës. Reçica ka treguar se sa qytetarë kanë përfituar gjatë kësaj kohe në skemat sociale, pensionale dhe të pagesave të asistencës mujore.

Reçica ka folur edhe për masën 15, pagesë e asistencës mujore prej 130 eurove për të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë të hyra në familjen e tyre. Ku sipas tij, deri më tani kanë aplikuar mbi 60 mijë qytetarë, mbi 50 mijë janë duke u verifikuar, mbi 7 mijë janë në proces të regjistrimit nga qendrat e punës sociale, ndërsa mbi 5 mijë tani më kanë përfituar nga kjo masë.

Reçica u zotua se si qeveri kanë paraparë një pako për rimëkëmbje ekonomike, e cila ndër të tjera mbështet punësimin që të ndikojë në rritje të punësimit edhe në këto kushte.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj tha se është shqetësuese që pandemia ka ndikuar shumë në shërbimet sociale, dhe humbjen e vendeve të punës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se plani për punësim duhet të jetë në interes të të rinjve dhe tregut të punës. Ndër të tjera, pati kritika se ministri po raporton para anëtarëve si në fushatë zgjedhore.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,Skënder Reçica tha se prioritet i tij do të jenë shtesat për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare. Veç tjerash u zotua se do të bëhet ndryshimi i ligjit, ku veteranët e dal nga lufta të kenë mundësi të punojnë në sektorin privat, dhe të marrin pensionin.

Reçica gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij synojnë të largohen kriteret diskriminuese për përfitim nga asistenca sociale. Ai u zotua se do të stimulojnë familjet për të kërkuar punë që përfitojnë nga asistenca sociale. Ai është pyetur edhe për personat me aftësi të kufizuara, ku ka pranuar se nuk po zbatohet ligji që çdo i pesëdhjeti punëtor në institucion publik të jetë i kësaj kategorie.