Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka bërë të ditur se të gjitha familjet që kanë aplikuar për asistencë mujorë në vlerë 130 euro dhe ende nuk i kanë marrë ato, mund të ankohen në të gjitha Qendrat për Punë Sociale pranë Komunave të Kosovës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ( MPMS) njofton të gjithë familjet dhe qytetarët, se nga sot me datë 17 gusht 2020, në të gjitha Qendrat për Punë Sociale pranë Komunave të Republikës së Kosovës, ka filluar procesi njoftues dhe ankimor lidhur me vendimin për asistencën mujore, sipas Masës Nr.15 të Pakos Emergjente Fiskale”, ka shkruar Reçica në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se të gjitha familjet të cilët kanë aplikuar për asistencë mujorë në vlerë 130 euro, sipas Masës 15 të Pakos Emergjente Fiskale dhe të cilat deri më tani nuk kanë pranuar njoftim zyrtar përmes mesazheve telefonike apo kontaktimit të drejtpërdrejtë nga institucionet i nivelit qendror apo lokal, mund të paraqiten në Qendrat për Punë Sociale të Komunës përkatëse, deri me 31 gusht 2020, për të pranuar vendimin zyrtar dhe për të shfrytëzuar mundësinë e parashtrimit të ankesës kundër këtij vendimi./kp