Me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për punëkërkuesit në Kosovë, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, ka shpallur të hapur fazën e dytë të programit të vetëpunësimit 2020, për punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë.

Lidhur me këtë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se me anë të programit do të mbështeten punëkërkuesit e riatdhesuar, në hapjen e bizneseve të tyre të profileve të ndryshme, biznese që janë në gjendje t’i mbijetojnë tregut konkurrues të punës.

Po ashtu, ai ka thënë se, kjo përkrahje e shtuar vjen në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19, në mënyrë që punëkërkuesit në Kosovë të ndjejnë edhe më shumë dorën kujdesit nga shteti.

Sipas një komunikate të ministrisë, Reçica ka theksuar se në fazën e parë të programit të vetëpunësimit këtë vit, janë mbështetur 136 punëkërkues të riatdhesuar të cilët tashmë kanë hapur bizneset e tyre dhe kanë nisur punën.

Për të gjitha informatat shtesë dhe Formulari i Aplikimit, MPMS ka venë në dispozicion linkun e mëposhtëm: https://mpms.rks-gov.net/shpallje/njoftime/ dhe https://aprk.rks-gov.net.