Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se në këto ditë plagët e secilit janë të tronditura thellë.

Reshitaj ka theksuar se nuk mund të heshtet ndaj guximit të politikës serbe për të kërcënuar Kosovën kaq shumë dhe kaq hapur. Për cka ajo thekson se nuk është momenti që shqetësimet të jepen me mendim të ndara nga foltoret, por që sipas saj populli ka nevojë që t’i shoh të gjithë bashkë duke punuar për të dalë faqebardhë nga kjo situatatë.

“T’i thërrasim mendjes ! Sot nuk mund të heshtim ndaj guximit të politikës serbe për të na kërcënuar kaq shumë dhe kaq hapur . Prandaj sot nuk është momenti që të ngrisim shqetësime e të japim mendime të ndara nga foltoret prej zyrave të partive, populli ka nevojë më shumë se kurrë të na shoh bashkë duke punuar për të dal faqebardhë nga kjo situatë përtej përçarjeve e divergjencave të brendshme politike. A nuk kemi marrë mjaftë mësime nga e kaluara e historisë sonë? T’i lëmë konferencat individuale e partiake me përçim mesazhesh për njëri tjetrin në vijë ajrore jo më shumë se disa metra. Mos të lejojmë që në këto ditë të errëta për vendin këto pak metra që na ndajnë të bëhen kilometra e rezistenca të rrezikshme, të palogjikshme e aq të panevojshme që mund të na rëndojnë edhe më tej përpjekjen tonë në mbrojtje të së vërtetës së luftës tonë çlirimtare”, ka shkruar Reshitaj.

Tutje ajo shkruan se, “këto ditë kur plagët në zemrat e secilit prej nesh janë tronditur kaq thellë, në këto ditë kur tronditur janë edhe varret e atyre që në moshën më të njomë braktisën ëndrrat rinore për të mbrojtur familjet, shtëpitë e lirinë e nëpërkëmbur ndër shekuj, heshtja nuk duhet zënë vend, duhet të flasim madje duhet të flasim të gjithë me një gjuhë”, ka shkruar ajo.

Më tej ajo ka thënë se më shumë se kurrë është momenti për zgjim të kujtesës kolektive, thirrje të mendjes për unitet e ndërgjegjësim të të gjithëve e veçmas të politikëbërësve në vend.

“Në këtë kohë kur e tërë bota është vënë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve në betejë me një armik të njerëzimit siç është virusi Covid 19, armiqtë e shqiptarëve nuk harruan të shfrytëzojnë edhe këtë situatë për të na sulmuar si mos më keq. Si gjithmonë në historinë e dhimbshme të shqiptarëve, armiqtë e njëjtë që fatkeqësisht për një pjesë të politikanëve tanë që në verbësinë e shkurtpamësinë e tyre, vazhdojnë të jenë armiq të padukshëm mu si ky virus”, shtoi ajo.

Reshitaj, ka thënë se kur e gjithë bota ka kthyer fuqinë njerëzore e profesionale në luftë me virusin e në mbrojtje të shëndetit të qytetareve, sipas saj, populli ynë po rrezikon të pësojë jo vetëm nga simptomat virusale Covid 19 por edhe nga sulmet e armiqve tanë.

Ajo i ka ftuar të gjithë edhe pse kohë pandemie të gjejmë mënyrën t’i kundërpërgjigjemi provokimeve.

“Dua të ftoj të gjithë, ndonëse në kohë pandemie duke mos rrezikuar shëndetin e asnjërit të gjejmë mënyrën ti kundërpërgjigjemi provokimeve, t’i tregojmë botës që plagët tona të pashëruara po sulmohen sërish nga ata që i shkaktuan dhe nga politika e atyre që mbi të njerëzishmen ushqehen me më të keqen dhe provokojnë e sulmojnë një popull liridashës edhe në kohë pandemie, atyre që vazhdojnë të injektojnë në gjenet e fëmijëve të tyre urrejtje, dhunë, luftë e shkatërrime”, ka shkruar ajo.