Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me FSK-në dhe një numër vullnetarësh, kanë filluar shpërndarjen e rreth 2 mijë pakove ushqimore, për familjet me gjendje të rëndë ekonomike.

Aksioni humanitarë ka filluar dje do të vazhdojë sot dhe do të përfundoj nesër.

Drejtori për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, tha se qëllimi i këtij aksioni është t’i ndihmojnë familjet në nevojë, gjendja ekonomike e të cilave është rënduar për shkak të pandemisë Covid-19.

“Dje kemi filluar një aksion të inicuar nga komuna e Prishtinës, për t’i shpërndarë mbi 2 mijë pako ushqimore, për secilën familje në nevojë në Komunën e Prishtinës. Në Komunën e Prishtinës kemi rreth 1 mijë e 500 familje me asistencë sociale dhe po ashtu ka gati 3 javë qe kemi hapur një thirrje telefonike ku paraqitën familje në nevojë për të marrë ndihma. Së bashku me FSK-në, ndërmarrjen publike banesore dhe një numër të vullnetarëve, dje kemi filluar aksionin për t’i shpërndarë këto pako ushqimore, do vazhdojmë edhe sot dhe do të përfundojmë nesër”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i FSK-së, Fiton Kastrati, tha se FSK është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është gjithmonë në angazhim në shërbim të qytetarëve dhe gjatë kohës së pandemisë. FSK ka treguar mbështetje për institucionet tjera në mënyrë që të jemi sa më afër qytetarëve. Kësaj here aksioni është me mbështet Komunën e Prishtinës, konkretisht Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, në mënyrë që familjeve me raste sociale t’i lehtësohet gjendja e tyre ekonomike”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Komuna e Prishtinës po vazhdon ofrimin e shujtave ushqimore për personat në nevojë, në Aktash dhe Tophane.