Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka kërkuar nga qytetarët të dalin sa më shumë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në këtë komunë.

Pasi hodhi votën në shkollën, “Naim Frashëri”, pretendenti për të parin e Podujevës, kërkoi edhe respektim të masave anti-Covid gjatë procesit zgjedhor.

“Është një ditë e jashtëzakonshme sepse këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme në pandemi, andaj shfrytëzojë rastin të lusë qytetarët që të kryejnë obligimin e tyre qytetarë, të dalin të votojnë. Por edhe të kujdesen për veti dhe të tjerët të kalojmë bashkë edhe këtë ditw të zgjedhjeve mirë, por edhe këtë pandemi sa më shpejtë që është e mundur”, tha ai.

Komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku të drejt vote kanë 87,381 persona.