Në një intervistë për gazetën sportive spanjolle AS pesë ditë më parë, Mohamed Salah pranoi se ishte i pakënaqur kur atij nuk iu dha shiriti i kapitenit kundër Midtjylland në Ligën e Kampionëve, por Trent Alexander-Arnold.

Futbollisti egjiptian nuk e përjashtoi edhe mundësinë për të luajtur për Real Madrid ose Barcelona në të ardhmen, gjë që zemëroi tifozët e Liverpool, dhe situata u komentua sot nga menaxheri i ekipit udhëheqës të Premier Ligës, Jurgen Klopp.

“Salah ndihet mirë dhe është në formë të shkëlqyeshme. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Ne nuk kishim fotografi nga trajnimi i këtij mëngjesi, por nëse do ta kishim, do të shihnit shumë të qeshura në fytyrën e tij. Nuk ka asgjë brenda klubit,” tha strategu gjerman.

Skuadra e tij pret West Bromwich Albion si ekipi i parë në tabelën e kampionatit pas 14 raundeve të luajtura të dielën, por kjo sipas Klopp nuk do të thotë asgjë.

“Ne nuk do të bëhemi automatikisht kampionë në maj nëse jemi duke udhëhequr në Krishtlindje. Ne jemi në pozicionin më të mirë të mundshëm, por nuk kemi luajtur ende gjysmën e sezonit. Është bukur, por asgjë më shumë. Dy vjet më parë kur nuk fituam titullin, ishim të njëjtët duke udhëhequr në Krishtlindje. Ne nuk e humbëm titullin për shkak të mungesës së përqendrimit, por për shkak të cilësisë së kundërshtarëve,” përfundoi Klopp.