Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, i cili do të mbahet në kushte të vështira për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se në të gjitha komunat e Kosovës ka nisur viti i ri shkollor, sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si pasojë e të cilit deri më sot në vendin tonë kanë gjetur vdekjen 600 persona.

“Ju kolegë të nderuar do të zhvilloni betejën në rrugëtimin drejt njohurive të reja për nxënësit e Kosovës, por edhe betejën për ta ruajtur shëndetin personal, shëndetin e kolegëve dhe të fëmijëve, që janë stolia më e bukur e atdheut tonë. Edhe në të kaluarën i kemi mposhtur vështirësitë dhe kemi ngadhënjyer duke e ruajtur arsimin. Bashkë do të angazhohemi edhe tani dhe do t’i tejkalojmë vështirësitë në shërbim të edukimit e arsimimit të brezave. Kolegë të nderuar, punëtorë të arsimit, na qoftë i mbarë ky vit i ri shkollor. Ju premtojmë se SBASHK-u në bashkëpunim me MASH do të angazhohet edhe për realizimin e kërkesave të drejta e legjitime të punëtorëve të arsimit”, ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, si pasojë e shpërthimit të koronavirusit në muajin mars, procesi mësimor ishte zhvilluar online.