Selim Selimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot mori zyrtarisht postin e ministrit të Drejtësisë në Qeverinë Hoti. Në zyrë nuk u prit nga paraardhësja e tij Albulena Haxhiu, për t’i treguar ku kanë mbetur punët, por ish-ministrja ka lënë një raport përmbledhës të punës sa ishte në krye të këtij institucioni. Në paraqitjen e tij të parë para mediave si ministër, Selim Selimi tha se është e rëndësishme që politika t’i ketë duart larg nga prokurori e gjyqësori.

Ministrinë që deri dje e drejtonte Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, prej sot do ta udhëheq Selim Selimi të cilën Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vendosi në këtë pozitë në qeverinë e Avdullah Hotit.

Ai sot u njoftua nga sekretari i ministrisë rreth çështjeve që janë në proces në këtë dikaster dhe atyre që pritet t’i iniciojë kjo qeveri, ndërkohë tha se do të bëjë një analizë të gjendjes në këtë institucion duke takuar edhe personat përgjegjës të secilit drejtim.

Para gazetarëve, Selimi tha se është e rëndësishme që politika t’i ketë duart larg drejtësisë.

“Është e rëndësishme që politika t’i ketë duart larg drejtësisë, mos të ndërtojmë mekanizma me të cilat në ndonjë mënyrë ndikohet, apo shikohet të ndikohet në prokurori dhe gjyqësi. Është e rëndësishme të ruhet substance e shërbimit civil në ministri e cila e ka mbajte këtë ministri gjallë dhe të suksesshme gjatë gjitha etapave, pjesa politike ne ministrat vijnë e shkojmë por është e rëndësishme që administrata dhe shërbimi civili i kësaj ministrie t’u jepen kushte të dinjitetshme, kushte për punë por gjithashtu edhe llogaridhënie”, tha ai.

Selimi kur u pyet për procesin e Vetingut tha se Selimi tha llogaridhënia duhet të vazhdojë por nuk duhet krijuar mekanizma politik të njëanshëm të kontrollit të prokurorisë dhe gjyqësorit.

Sipas tij, e rëndësishme është që llogaridhënia të bëhet me të gjithë akterët dhe në tavolinë të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, me të cilët tha se është ndërtuar sistemi i drejtësisë në Kosovë.

“Nuk mund të them diçka definitive sepse më duhet të shoh punën e atij komisioni, e di nga mediat, anëtarët e atij komisioni janë juristë jashtëzakonisht të mirë disa prej tyre i njoh personalisht, por për mua është e rendësishme që lloji i mekanizmit mos të jetë politik, lloji I mekanizmit të jetë gjithëpërfshirës”, tha Selimi.

Kur mori detyrën, Selimi nuk la pa falënderuar paraardhësen e saj, Albulena Haxhiun.

“Falënderoj paraardhësen time këtu, zonjën Albulena Haxhiu e cila e ka dorëzuar një raport përmbledhës për punën e saj, dhe për korrektësinë e treguar gjatë tërë procesit”, tha Selimi.

Selim Selimi që vjen nga Lugina e Preshevës, tha se çështjet që lidhen me ministrinë që ai tashmë drejton dhe prekin qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, do t’i adresojë dhe se do të jetë zëri i qytetarëve të luginës për të cilët tha se diskriminohen atje./kp