Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi edhe një herë i ka ftuar të bashkëngjiten ish-pjesëtarët e grupit punues të shoqërisë civile për procesin e vettingut, duke shtuar se qeveria vendos për planin. Sipas Selimit ata do të kenë mundësinë të kthehen qysh në mbledhjen e parë, dhe të dorëzojnë raportin në qeveri.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi para gazetarëve tha se sot në qeveri është marrë vendim për themelimin e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

“Pjesë e Grupit Punues, i cili është gjithëpërfshirës me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës, do të jenë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë, gjykatat, prokuroria. Dhe në rolin mbështetës do të jenë përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Italisë, dhe përfaqësues nga Misioni i OSBE-së”ka thënë Selimi.

Selimi edhe një herë ka ftuar që të bashkëngjiten ekspertët e grupit të kaluar që të marrin pjesë në grupin punues për procesin e vettingut.

“Për të respektuar parimin e inkluzivitetit dhe punën e deritanishme, ne në këtë vendim kemi lënë të hapur mundësinë që ekspertët e ish-grupit pra sipas vendimit 08/04 të datës 28.02.2020, të jenë pjesë e këtij procesi. Pra unë edhe një herë që ata t’i bashkëngjiten këtij grupi inkluziv dhe këtij grupi gjithëpërfshirës. Puna e grupit punues është e përkufizuar në kohë. Pra ne mendojmë që deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do ta përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, duke i propozuar edhe skenarët për vettingun. Gjithashtu këtu do të reflektohen edhe rekomandimet nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit”,ka shtuar ai.

Raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë mbi të cilin qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, në koordinim me akterët tjerë si dhe partnerët strategjikë do të procedojnë tutje me reformën.

“Ekspertët e grupit të kaluar do të kenë mundësinë të kthehen qysh në mbledhjen e parë që do të ketë ky grup. Që ne shpresojmë që brenda një jave. Takimi i parë do të jetë në zoom, përmes videokonferencës për shkak të masave të ndërmarra. Unë mendoj që procesi i vettingut, implementimi i të njëjtit do të jetë në momentin kur ata e dorëzojnë raportin me skenarë dhe pastaj në qeveri do të vendoset për njërin nga skenarët që do të ndiqet”, ka thënë ai.

Ditë më parë, shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga Grupi Punues për procesin e vettingut. Sipas tyre, koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë./kp