Avokatura e Shtetit në dy vjetët e fundit ka mbrojtur Kosovën nga humbja e 20 milionë eurove.

Pavarësisht rëndësisë së këtij institucioni, për një kohë të gjatë ai është anashkaluar, por me Projektligjin për Avokaturën Shtetërore të njëjtit do të kenë mundësinë që të mbrojnë shtetin nga keqpërdorimet, kontratat e këqija dhe rasteve kur paditet.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë sot se projektligji tashmë ka marrë formën finale dhe shumë shpejt do të dorëzohet në qeveri.

“Gjëja e parë të cilën e kemi bërë me këtë projektligj është që për herë të parë është vënë në plan qeveritar. Do të thotë Avokatura e Shtetit për një kohë të gjatë është lënë anash, nuk ka qenë mirë për shkak se këta janë ushtarët, të cilët e mbrojnë shtetin nga keqpërdorimet, nga kontratat e këqija edhe e mbrojnë shtetin sa herë që paditet. Andaj edhe e kemi pasur obligim që këtij institucioni t’i japim dinjitetin që e meriton. Ky institucion vetëm këta dy vjet ia ka ruajtur shtetit 20 milionë euro. 20 milionë euro duke e mbrojtur me pasion edhe duke e mbrojtur nga këto keqpërdorime. Pra, avokatët e shtetit që i kemi ne, janë avokatë të cilët shkojnë në seanca të të gjitha instancave me ato kushte, të cilat i kanë jo edhe aq të favorshme, e me këtë ligj do t’u përmirësohen”, tha Selimi.

Ai ka theksuar se në kuadër të këtij projektligji do të jetë me prioritet edhe obligimi për denoncimin e keqpërdorimeve. Ministri i Drejtësisë shtoi se është paraparë që Avokatura e Shtetit në momentin kur sheh keqpërdorime të kontratave, e ka për obligim t’i denoncojë përmes kallëzimeve penale.

“Ne kemi menduar që me këtë normë ne t’i obligojmë avokatët e shtetit, por në të njëjtën kohë ta përçojmë mesazhin që çdo keqpërdorim do ta ketë edhe një mekanizëm shtesë, denoncimin. Një çështje tjetër të cilin e kemi si pjesë të ligjit është edhe vlerësimi i riskut të draft-kontratave. Pra, vlerësimi i riskut është shumë i rëndësishëm pasi që në shumicën e rasteve shteti i Kosovës mund të humb buxhet për shkak të kontratave të këqija. Me futjen e kësaj norme ne e kemi marrë për obligim që t’i analizojmë draft-kontratat paraprakisht. Ka disa elemente që i analizojmë ne me ato draft-kontrata edhe është e rëndësishme që këto elemente t’i përmirësojmë para se të lidhet kontrata. Për shkak që me lidhjen e kontratës ne hyjmë në obligime tjera dhe pastaj humb potencialisht të vazhdoj procedurat”, u shpreh ai.

Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi tha se projektligji përmban gjashtë kapituj kryesorë, duke shtuar se i njëjti do të plotësojë vakumin të cilin e ka pasur ky institucion.

“Ka qenë e domosdoshme që ta kemi një draft-ligj, me të cilën do të dërgohet në qeveri, dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe instancat tjera për miratim sa më shpejt të mundshëm. Me qëllim që të plotësohet me kuadër sa më të shpejtë të mundshëm ky institucion shumë i rëndësishëm, mbase edhe peshën dhe funksionin e ka të tillë. Po ashtu, në këtë draft-ligj çka është shumë e rëndësishme është që do të rregullohet edhe një sektor i veçantë i arbitrazhit. Siç e dini, kohëve të fundit Kosova është goditur me disa raste të ndjeshme të arbitrazhit, meqë me këtë draft-ligj është menduar të ketë një pozitë të veçantë arbitrazhi, e që do të trajtohet me kujdes sa i përket trajtimit të këtyre çështjeve”, tha Istrefi.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është pyetur edhe për projektligjin për qeverinë, i cili është paraparë që të dërgohet në Komisionin e Venecias për rekomandime.

“Nuk e di, ka qenë e Zyrës së Kryeministrit t’i drejtohet kjo pyetje. E di që e kemi diskutuar, e kemi përkrahur të gjithë, por sa i përket procedurës fizike të dorëzimit, nuk e kam atë informatë”, tha ai.