Sot në Bruksel është zhvilluar takimi në nivel ekspertësh, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë, që më 4 shtator palët do të kenë një takim edhe në Uashington.

E pjesë e delegacionit do të jetë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar ministri i drejtësisë, Selim Selimi.

Selimi ka thënë se është propozuar nga AAK-ja që të jetë pjesë e ekipit për dialog, mirëpo kjo pritet të caktohet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Siç e dini nga AAK-ja jam i caktuar që të jem pjesë e ekipit për dialog. Listën apo personat, apo delegacionin i cili udhëton në Amerikë, më 4 shtator e cakton kryeministri Hoti, ne presim ose sot gjatë ditës ose të nesërmen të na lajmëroj se kush do të jetë pjesë e këtij delegacioni, kush do të marrë pjesë në takim dhe kush do të jetë pjesë e delegacionit që e shoqëron kryeministrin Hoti atje”, ka thënë Selimi.

Selimi ka deklaruar se qëllimi është që sa me shpejtë të ketë një marrëveshje përfundimtarë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Ne kemi pasur një paralajmërim që do të ketë tema të zhvillimit ekonomik por delegacioni i Kosovës i ka pozicionet e përgatitura në çështjet të cilat do të diskutohen me Serbinë. Qëllimi i yni është që sa më shpejtë ta kemi një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, ky është pozicioni jonë, çështje të cilat e sjellin këtë marrëveshje e cila ne synojmë. Ne nga ekspert të ndryshëm, edhe nga qeveritë e kaluara, por edhe nga kjo qeveri, i kemi ato pozicionet e përgatitura”, ka thënë Selimi.

Selimi ka thënë se nuk mund të hyjë në detaje të këtyre pozicioneve por siguron që delegacioni i Kosovës është i përgatitur, pasi që është një armatë e tërë ekspertësh dhe shërbyesish civil të cilët kanë kontribuar në përgatitjen e pozicioneve të cilat do t’i ketë Kosova karshi Serbisë./KP