Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka përshëndetur këmbimin e letrave ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell për vazhdimin e mandatit të këtij misioni të BE-së.

“E mirëpres që Hashim Thaçi dhe Josep Borrell, përmes një shkëmbimi letrash, janë pajtuar për një zgjatje njëvjeçare të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, për shkak të COVID-19. Mbesim tërësisht të përkushtuar për partneritetin tonë për drejtësi, me të gjithë homologët tanë në Kosovë në këtë periudhë kritike”, ka shkruar Wigemark në Twitter.

Presidenti i Kosovës të shtunën ka njoftuar për zgjatje njëvjeçare të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Hashim Thaçi ka bërë të ditur se vazhdimi i misionit të EULEX është bërë pas një shkëmbimi letrash me Josep Borrell, shefin e politikës së jashtme të bllokut evropian.

BE ka kërkuar zgjatje njëvjeçare të misionit EULEX-it, pasi pandemia me koronavirus e ka bërë të pamundur mbajtjen e takimeve për të rishikuar misionin evropian.