COVID-19 solli ankth e çrregullime të tjera në shëndetin mendor të një numër i madh i njerëzve. Shumë pacientë të infektuar me koronavirus po përballen me çrregullime të tilla, madje, edhe ata që nuk janë të prekur me këtë virus gjenden në ankth duke pritur momentin se kur do të infektohen. Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se pas kalimit të pandemisë do t’i vijë radha shëndetit mendor që sipas tij do të ketë fluks të madh të pacientëve.

Në një intervistë drejtori Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, tregon që në kohën e pandemisë pacientët kanë filluar të ri-acarohen.

“Institucionet tona ende nuk e kanë kuptuar me seriozitet të plotë çështjen e shëndetit mendor dhe COVID-19. Prej rasteve të cilat i kam, njerëzit të cilët e kanë kaluar sëmundjen janë shumë të traumatizuar. Po flasim për një traumë akute sepse ende është pandemia, ende është sëmundja duke u zhvilluar, ende rreziku është shumë i madh për ata të cilët nuk kanë qenë të infektuar. Sa i përket pacientëve të qendrës ne merremi me rastet e të sëmurëve kronikë psikiatrikë por e vërej që kohën e fundit kanë nisë me u riacaruar pacientët”, thotë ai.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon se numri i pacientëve që marrin shërbime në këtë qendër në kohën e pandemisë është rritur, dhe të njëjtit po tregojnë shenja të një ankthi të shtuar.

Ai tregon se problemi më i madh në këtë kohë është frika.

“Në përgjithësi numri i klientëve tanë, acarimi është në rritje e sipër, edhe klientët e tjerë të cilët nuk janë të sëmurë kronikë psikiatrikë që marrin shërbime në qendër, edhe pse jemi shumë të kufizuar për t’ju ofruar shërbime, po tregojnë shenja të një ankthi të shtuar shumë, mirëpo problemi më i madh është frika. Frika është tek të dy palët, edhe tek ata që e kanë kaluar sëmundjen, posaçërisht nëse e kanë pasur një simptomatologji më të vështirë, nëse kanë pas problem me frymëmarrje ose kanë qenë në oksigjenoterapi është një frikë shumë e madhe. Edhe pjesa tjetër të cilët ende nuk e kanë kaluar është sikurse ankth i pritjes, sikurse je duke pritur kur po të vjen radha ty”, thotë ai.

Ai thotë se mbështetja nga njerëzit e afërt është kryesore për pacientët të cilët e tejkalojnë luftën me COVID-19.

“Prej asaj qysh po e shoh sa është trauma akute, sepse ne jemi ende në periudhën e pandemisë, kjo është traumë akute nuk mundem me fol për një çrregullim pas stresit traumatik, se ato manifestime do të jenë shumë më shumë më vonë. Pastaj njerëzit do të kenë një reagim shumë të fuqishëm ndoshta edhe në ftohjet e thjeshta, për shkak se është një përvojë shumë e rëndë gjatë kalimit të kësaj periudhe, ajo mbetet, pastaj do të jetë sinonim dhe çdo ftohje të thjeshtë do ta marrim në mënyrë shumë më dramatike”, shpjegon Rexhepi.

Rexhepi thotë se problemi më i madh është se njerëzit në Kosovë nuk e kanë marrë shumë seriozisht situatën e krijuar nga pandemia dhe se këshillat që vinë nga institucionet e shëndetësisë po merren si masa restriktive dhe jo si nevojë për mbrojtje.

Neuropsikiatri porositë që kujdesi ndaj shëndetit mendor mos të lihet anash.

“Problemi më i madh i yni si shoqëri është se ne mendojmë për shëndetin mendor në momentin kur ndodhin tragjedi të ndryshme, atëherë themi ka qenë i sëmurë e ka bërë, ka qenë i sëmurë nuk është trajtuar, kjo na tregon se ne si shoqëri nuk jemi të gatshëm së pari të pranojmë problemin e shëndetit mendor, duhet të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë që ka problem në shëndetin mendor dhe cila është mënyra për të ndihmuar dhe tejkaluar, për të shëruar apo të zbutet gjendja”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, është momenti i fundit për vetëdijesim sa i përket çështjes së shëndetit mendor dhe i njëjti të kuptohet që është pjesë e shëndetit të përgjithshëm.

“Kjo është diçka që duhet me qenë e vazhdueshme, ta kuptojmë si shëndetin oral apo edhe sikur dikush që dëshiron me pas kujdes për pamjen e vet. Ne nuk na dhimbset, as në aspektin financiar, as të kohës, të shkojmë t’i rregullojmë flokët, një orë e dy, dhe të paguajmë 50 apo 100 euro, ndërsa kur është në pyetje shëndeti mendor mendojmë mos po na sheh dikush e çka mendojnë për ne. Krejt çka munden dhe duhet të mendojmë në këto momente është me i marr dikujt lakmi që ka guximin me u marr me vetveten dhe me i tejkalu problemet para se me u bë të mëdha”, thotë ai.

Që nga muaji mars Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë nuk ka mbajtur qëndrim ditor, duke dashur të parandalojë përhapjen e infeksionit, por nuk është mbyllura asnjëherë dhe ka vazhduar punën edhe me orar të zgjatur.

Në prill kjo qendër ka hapur thirrjet për qytetarë të cilët ndjejnë çrregullime dhe kanë nevojë për këshilla e trajtim, nismë kjo që është mbyllur në qershor pas lirimit të masave.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi porositë që personat të cilët fillojnë të ndjenjën çrregullime të ndryshme si ankth, çrregullim i gjumit, ëndrra të rënda e shqetësime të tjera, të kërkojnë ndihmë profesionale./kp/