Drejtori Ekzekuztiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku është pritur në takim nga Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ku është diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga ShSK-ja, Mazreku ka njoftuar Ministrin Abrashi lidhur me disa çështje të rëndësishme që janë në fushëveprimin e rregullimit nga Ministria e Infrastrukturës, ndër të cilat:

  1. Domosdoshmërinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Automjetet,

2.Nevojën për rishikimin e Strategjisë Rrugore dhe Planin e Veprimit,

3.Digjitalizim e sigurisë në rrugëve dhe

4.Zhvillimin e kampanjave të përbashkëta për rritjen e vetëdijësimit të qytetarëve për sigurinë në trafik.

Ndryshimet legjislative përkatëse përfshijnë vlerësimin e heqjes së pengesave dhe kushtëzimeve të ndryshme për qytetarët në regjistrimin e mjeteve motorike, siç janë ato të pagesës së gjobave dhe taksave komunale, bartjen e periudhës së regjistrimit në pronarin e ri në rastin e shitblerjes së mjetit motoric dhe çështje të tjera të ngjashme.

Rishikimi i Strategjisë Rrugore dhe Planit të Veprimit ka për qëllim përfshirjen më të gjërë të palëve të interesit në dhënien e kontributit të tyre në marrjen e masave efikase për të krijuar siguri më të lartë për qytetarët, ku do të kenë mundësinë e përfaqësimit në këtë proces edhe përfaqësuesit sectorial, organizatat përfaqësuese të kontrollave teknike, autoshkollave dhe të tjerë.

Sa i përket digjitalizimit, duke qenë se në vitet e fundit, sipas statistikave zyrtare numri i mjeteve motorike të pasiguruara e të paregjistruara është rritur dukshëm, do të vendosen pajisjet digjitale të cilat do të detektojnë këto mjete nëpër të gjitha hyrje-daljet e qyteteve të Republikës së Kosovës dhe brenda tyre. Ndërkaq, kampanjat do të fokusohen në rritjen e vetëdijes së qytetarëve në respektimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre gjatë pjesëmarrjes në trafik.

Për realizimin e këtij bashkëpunimi, palët janë zotuar që në ditët në vijim të nënshkruajnë një Memoranduim Bashkëpunimi ku do të trajtohen temat si më sipër dhe përgjegjësitë institucionale në këtë drejtim.