Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë nuk kanë hequr dorë nga protesta e 9 korrikut, por ajo do të mbahet në të gjitha komunat e Kosovës me nga 99 persona.

Kjo protestë vjen pas propozim-aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe aty do të bëhet thirrje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kërkesë të cilën këto organizata do ta drejtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës në muajin gusht.

Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale është politike dhe se do të kërkojnë nga Kuvendi që të mos i vazhdohet mandati.

“Ne do t’i drejtohemi Parlamentit të Kosovës në gusht me kërkesën që të mos i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale. Pikërisht, edhe për këtë është protesta me 99 persona që tregon vitin 1999, çlirimin e vendit, viti 99 fundi i dhjetorit ku veç ka filluar aktakuzat e para për ish-pjesëtarët e UÇK-së, që ne do të protestojmë para qeverisë këtu dhe Kuvendit me 99 veta. Që t’i tregojmë edhe gjykatës ndërkombëtare që është gjykatë puro politike që e tregoi fytyrën e vet çfarë e ka Gjykata Speciale. Sa i përket numrit, çdo gjë do të bëhet me mirëkuptimin e qytetarëve dhe veteranëve, ne bëjmë thirrje që 99 persona të marrin pjesë në të gjitha sheshet e Kosovës, ku barrën dhe përgjegjësinë e marrin kryetarët e degëve ku nuk do të lejohen mbi 99 veta të hyjnë, nuk do të thotë që ndonjë nuk do të hyjë. Por, qëllimi ynë është që pikërisht për shkak të COVID-19 të shpërndahet nëpër të gjithë qytetet”, tha ai.

Gucati shtoi se beson që do të ketë mirëkuptimin e të gjitha grupeve parlamentare për kërkesën e tyre. Për detajet e protestës së 9 korrikut detaje dha zëdhënësi i këshillit organizativ të protestave, Nasim Haradinaj.

Ai tha se kanë kërkuar përgjigje nga IKSHPK, se a mund të organizojnë protestën, e që përgjigja e tyre ka qenë se nuk preferohen tubime të tilla. Përkundër kësaj, ai tha se protesta do të mbahet me 99 persona në të gjitha sheshet e Kosovës.

“Protesta të mbahet më 9 korrik, por ne do t’i delegojmë kompetencat nëpër Kuvendet komunale ose organizata degët që i kemi nëpër çdo Kuvend komunal. Kështu që, ne duke arsyetuar në ligjin i cili e lejon në thirrjen që e bëri kryeministër në lokale 50 veta, ndërsa në sheshe 100 vetë, ne menduam që ta kemi një simbolikë te këto protesta dhe duke menduar se viti 1999 ka qenë dita e UÇK-së triumfuese vendosëm që në çdo komunë, çdo degë të protestojë në orë të caktuar në ora 12, më datën 9 korrik vetëm me 99 persona ushtarë ose veteran të UÇK-së”, tha ai.

Haradinaj shtoi se do të lexohet një fjalim i njëjtë në të gjitha degët, derisa ka bërë thirrje që të gjithë protestuesit të jenë të pajisur me maska.

E kjo protestë Haradinaj tha se i drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi sipas tij Gjykata Speciale është politike.

“Ne së pari i drejtohemi Kuvendit, po i drejtohemi edhe bashkësisë ndërkombëtare që e qiti maskën dhe e tregoi se është një gjykatë puro politike dhe se më nuk janë duke e ndjekur një individ, por është duke e ndjekur komplet aparati i UÇK-së. Prandaj, ne do t’i drejtohemi, t’ia lëshojmë një lloj refuzimi masiv në shenjë të asaj se çka dhe ku ka marrë rrjedhat kjo gjykatë. Prandaj, kjo është vetëm protesta e parë, nuk do të thotë që me këtë do të përfundojë”, deklaroi ai./Kp