Ministri i Drejtësisë Selim Selimi gjatë një vizite sot në Tiranë është takuar me homologen e tij shqiptare Etilda Gjonaj, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, ku në mbledhjen e përbashkët në Shkodër pritet të finalizohet marrëveshja për fushën civile dhe tregtare.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, ministri Selimi është zotuar për intensifikimin e bashkëpunimit me Shqipërinë në reformat në drejtësi kundrejt integrimit evropian.

“U pajtuam me ministren që të intensifikojmë bashkëpunimin e reformave në drejtësi kundrejt integrimit evropian. Shqipëria ka bërë hapa konkretë në këtë rrugë, këta hapa Kosova duhet të reflektojë për mësimet më të mira për reformë në mënyrë që t’i arrijmë standardet evropiane”, tha ai.

Ministrja Gjonaj nga ana e saj u zotua se shteti shqiptar do të ndihmojë Kosovën sa i përket reformës në drejtësi.

“Do të mundohemi që ndërmjet grupeve të përbashkëta të ekspertëve të ndihmojmë edhe në ekspertizën që Ministria e Drejtësisë, apo grupi i ekspertëve ka pasur gjatë reformës në drejtësi me qëllim që kemi mundësinë të shmangemi, apo njëkohësisht të forcojmë bashkëpunimin midis dy ministrive. Një fushë tjetër që u dakorduam është bashkëpunimi ndërgjyqësor që jo vetëm ka vijuar jashtëzakonisht mirë. Por kemi synimin të forcojmë duke ngritur një ekip të përbashkët negociator për firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket fushës civile dhe tregtare. Shpresojmë që për një kohë të shpejtë të jetë mbledhja e përbashkët e dy qeverive të kemi mundësinë të firmosim për të bërë realitet këtë garanci bashkëpunim procedurale për fushën civile dhe tregtare”, tha ajo.

Krahas kësaj, ministrja Gjonaj përgëzoi ministrin Selimin edhe për arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik me Serbinë.