Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Dr. Ilir Tolaj, i cili siç thuhet, ka akuzuar stafin shëndetësor se nuk bën trajtimin e duhur të pacientëve me COVID.

ShSKUK thotë se trajtimi i pacientëve me COVID-19 nga profesionistët shëndetësorë po bëhet konform protokollit për trajtim të rasteve të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe shoqatat profesionale mjekësore që kanë hartuar protokolle specifike për trajtimin e rasteve të tilla.

“Akuzat vijnë nga një njeri që për vjet të tëra nuk është i kyçur në sistemin shëndetësor në vend dhe nuk ofron shërbime për pacientët. Ai akuzon mjekët, në vend se të mbështesë punën e tyre të mbingarkuar, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, në çdo moment të punës, madje disa nga mjekët kanë vdekur në shërbim të pacientëve”, thuhet në reagim.

ShSKUK siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të marrë shërbime shëndetësore, duke respektuar protokollet në fuqi./21Media