Kuvendi i Kosovës ka dështuar të hedhë sonte në votim rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për asociacionin, pasi që në sallë ishin të pranishëm vetëm 31 deputetë.

Para kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka ftuar deputetët të mbështesin rezolutën e kësaj partie, me të cilën Kuvendi ndalon çfarëdo përpjekje që çon drejt ndryshimit të rendit kushtetues përmes krijimit të etniteteve të pushtetit të tretë në Kosovë.

“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 130/15 marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe është e pavlefshme, e pazbatueshme. Kuvendi i Kosovës ndalon çfarëdo përpjekje apo veprimi që dërgojnë drejt cenimit ose ndryshimit të rendit kushtetues e juridik dhe karakterit unitar të shtetit drejt ushtrimit asimetrik të pushtetit qendror lokal ose drejt krijimit të etniteteve të pushtetit të tretë brenda Kosovës. Tre, Kuvendi i Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedimi që rikthen çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si temë asnjë zyrtarë publik i Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet të bisedoj për këtë çështje”, tha ai.

Interpelanca e tretë në seancën e sotme me kryeministrin Avdullah Hoti, u realizua sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së lidhur me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe./kp