Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, ka dështuar të mbahet si shkak i mungesës së kuorumit.

Në këtë mbledhje të komisionit ishte paraparë që të bëhej intervistimi i dëshmitarëve me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy” Muhamet Malësiu, drejtor Departamentit të mjedisit dhe ujërave dhe Gani Berisha, drejtor i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit.

Zëvendëskryetari i këtij komisioni, deputeti Haxhi Avdyli, tha se kjo mbledhje do të mbahet të hënën e javës së ardhshme.

“Për shkak të mnugesës së kuorumit ne nuk do të kund ta vazhdojmë këtë mbledhje. Mungesa e deputetëve janë të arsyeshme për shkak se deputetët janë në komisione dhe disa të tjerë për arsye shëndetësore. Propozoj që kjo mbledhje të organizohet për të hënën e ardhshme”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit ishin deputetët Haxhi Avdyli, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Besa Gaxherri dhe Visar Hoti.